
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës në aktivitetin “Shqipëria Turistike 2030”, theksoi se rritja e turizmit në vend është e dukshme, por tashmë prioritet mbetet cilësia e shërbimit dhe jo vetëm numri i vizitorëve.
“Kemi pasur rritje të mëdha të turistëve nga Franca, Gjermania, rritje të konsiderueshme nga Kina, India, Brazili, Australia, apo edhe nga Turqia e Izraeli. Destinacioni Shqipëri po sjell rritje. Por sot nuk kemi më prioritet rritjen në numër, por rritjen e cilësisë dhe të turistëve që konsumojnë më shumë këtu,” tha Rama.
Ai nënvizoi ndryshimin e perceptimit të huajve për vendin tonë: “Francezët kanë një perceptim për Shqipërinë që nuk mund të imagjinohej më parë. Nga një vend i parë si ‘dele e zezë’, sot kemi standarde të reja dhe një imazh tjetër.”
Megjithatë, kryeministri ngriti shqetësimin për keqmenaxhimin e disa prej plazheve më të frekuentuara, veçanërisht në Ksamil.
“Kemi probleme që nuk presin më për t’u adresuar, raste si plazhi i dhunuar i Ksamilit dhe një sërë plazhesh të tjera. Marr Ksamilin që është një nga plazhet më të bukura të botës e nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shohin si tokë për t’u pushtuar, e për të trajtuar më pas turistët si skllevër, që mund t’u bien edhe me shkopin e çadrës kokës, apo të vendosin çmime të paimagjinueshme që vetëm dëmtojnë imazhin e turizmit shqiptar.”
Rama tha se qeveria do të ndërhyjë për t’i rikthyer këto hapësira publikut.
“Duhet të shërojmë plazhet e dhunuara. T’ua heqim nga duart privatëve, nuk ka mundësi Ksamili të jetë plazh privat,” përfundoi ai.