Vendosni fjalën kyçe....

“Koalicioni i Vullnetarëve” shpreh gatishmërinë të ofrojë garanci të forta sigurie për Ukrainën


Krerët ushtarakë nga vendet e përfshira në “Koalicionin e Vullnetarëve” kanë përfunduar punën teknike mbi garancitë e sigurisë që do t’i ofrojnë Ukrainës në rast të një armëpushimi.

Sipas burimeve të Euronews, aleatët e këtij koalicioni kanë planifikuar tre garanci kryesore sigurie për Kievin: një forcë sigurie, patrullime ajrore dhe një forcë për çminimin detar.

Burime ushtarake thanë se po shqyrtohet edhe skenari i “lojërave të luftës”, simulime të situatave të ndryshme të mundshme, për të siguruar që kapacitetet dhe planet ushtarake të jenë gati për çdo rrethanë.

Një nga pyetjet kyçe që mbetet është: “Çfarë ndodh kur dislokon një forcë dhe Rusia qëllon mbi të?” tha një burim.

Të enjten, liderë nga 34 vende, kryesisht evropiane, marrin pjesë në takimin e koalicionit, të thirrur nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer, me kërkesë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Në takim marrin pjesë gjithashtu sekretari i përgjithshëm i NATO-s, si dhe drejtuesit e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të mërkurën se megjithëse aleanca nuk do të ketë rol të drejtpërdrejtë në garancitë e sigurisë, ajo po merr pjesë në diskutime “për të shmangur shpërndarjen e tepërt të burimeve tona.”

Në proces është përfshirë edhe komandanti suprem i forcave të aleancës në Evropë (SACEUR), gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich.

“Gjithmonë duhet të shohim se çfarë ndikimi do të kenë këto plane mbi planet e NATO-s,” shtoi Rutte.

Koalicioni u formua në mes të shkurtit për të punuar mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast armëpushimi me Rusinë, pas këmbënguljes së Uashingtonit se Evropa duhet të mbajë pjesën më të madhe të barrës.

Kievi e sheh anëtarësimin në NATO dhe BE si garancitë përfundimtare të sigurisë, por ka kërkuar gjithashtu nga aleatët që të premtojnë mbështetje afatgjatë për ushtrinë e tij, në mënyrë që të mbajë një pozicion force ndaj çdo agresioni të ardhshëm.

Macron konfirmoi të mërkurën në mbrëmje se puna teknike e zhvilluar nga krerët ushtarakë të koalicionit “është tashmë e përfunduar”, ndërsa kontributet e secilit vend “janë përgatitur, dokumentuar dhe konfirmuar” dhe do të “miratohen politikisht” nga liderët.

Elysée kishte njoftuar më herët këtë javë se tashmë mbetej vetëm konfirmimi se planet do të kenë mbështetjen e SHBA-së.

Macron do ta informojë presidentin amerikan Donald Trump mbi bisedimet e së enjtes në orët e pasdites.

Megjithatë, shumë aleatë hezitojnë të dërgojnë trupa në terren pas një armëpushimi, edhe në zona jo-kontakti, pa një mbështetje të drejtpërdrejtë të SHBA-së, siç janë mbrojtja ajrore dhe raketore apo shkëmbimi i informacionit.

Vendet e përfshira në koalicion dhe Ukraina po i kërkojnë Trump-it të rrisë presionin ndaj Rusisë, pasi presidenti Vladimir Putin injoroi një afat të vendosur nga SHBA për të ardhur në tryezën e negociatave.

I pyetur të mërkurën për mungesën e progresit, kreu i Shtëpisë së Bardhë i tha CBS News se është në kontakt me të dy liderët, duke shtuar: “Diçka do të ndodhë, por ata nuk janë ende gati. Por diçka do të ndodhë. Do ta bëjmë.”