
Autoritetet hungareze kanë nisur një hetim zyrtar lidhur me zhdukjen e disa përbërësve kyç nga tetë avionë luftarakë MiG-29, të çmobilizuar dhe të parkuar në bazën ushtarake të Kecskemetit. Dyshohet se pjesët e humbura mund të kenë përfunduar në Ukrainë, duke ngritur pikëpyetje mbi politikën e deklaruar të Budapestit për mosfurnizim me armatim të palëve ndërluftuese.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë (REL), pjesët e zhdukura përfshijnë komponentë elektronikë të rëndësishëm, që kontrollojnë sistemet e navigimit dhe armët e avionëve. Hetuesit besojnë se vjedhja mund të jetë organizuar nga persona me lidhje brenda aeroportit ushtarak.
Media hungareze Bikk, e cila raportoi e para për rastin, tha se autorë të panjohur kanë prerë rrethimin e bazës ushtarake, janë futur me automjet në territorin e saj dhe kanë siguruar qasje në avionët MiG-29. Mendohet se në këtë bazë ndodhen rreth 20 avionë MiG të epokës sovjetike, të tërhequr nga shërbimi në vitin 2010.
Ministria hungareze e Mbrojtjes konfirmoi për REL-in se një hetim policor është në zhvillim për shkeljen e sigurisë në bazën ajrore në fund të korrikut, dhe se Forcat e Armatosura po kryejnë paralelisht procedura për të përcaktuar përgjegjësitë individuale.
“Për shkak të hetimeve në vijim, nuk jemi në gjendje të japim më shumë hollësi,” thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Raportimet se pjesët mund të kenë përfunduar në Ukrainë kanë shkaktuar shqetësime, duke qenë se Hungaria ka mbajtur një qëndrim të prerë kundër furnizimit të Ukrainës me armatim që nga fillimi i luftës me Rusinë. Ndërkohë, Ukraina trashëgoi nga Bashkimi Sovjetik një flotë të vjetër avionësh MiG dhe Sukhoi dhe është në kërkim të vazhdueshëm të pjesëve për mirëmbajtjen e tyre.
Hungaria e zëvendësoi flotën e saj të MiG-29 me avionë suedezë JAS 39 Gripen, në kuadër të modernizimit të forcave ajrore rreth vitit 2010.