
Drejtuesi i grupit të punës për hartimin e draftit të Kodit të ri Penal Arben Rakipi tha sot se burimet ku është bazuar drafti janë kodi aktual dhe praktikat gjyqësore.
Pjesë e dëgjesës publike për draftin, ai shpjegoi se grupi ka propozuar depenalizimin e prostitucionit dhe eutanazisë.
Rakipi tha se pavarësisht dukjes si represiv, propozimi për Kodin e ri Penal ndërthur praktikat në vend me legjislacionet në vende të ndryshme të BE-së.
“Është paraqitur me ngjyra mjaft pesimiste dhe ka krijuar përshtypjen që represiviteti është fjala e parë e këtij projekti. E kuptoj shumë mirë, efektet që mund të krijojë. Burimi i parë është Kodi aktual dhe burimi i dytë, praktika gjyqësore. Burim tjetër janë vepra të ngjashme të penalizuara nga legjislacione të ndryshme. Burim tjetër janë direktivat. Burim tjetër është edhe eksperienca e anëtarëve të grupit dhe në shumatoren e kësaj praktike mund të dalim në një konkluzion të caktuar”, tha Rakipi.
Ai shtoi më tej se depenalizimi i disa veprave penale të propozuara kërkojnë një diskutim më të gjerë publik.
“Depenalizimi i veprave është një çështje mjaft e rëndësishme dhe kërkon një opinion të gjerë. Depenalizimi i veprave, që janë hedhur për të provokuar një debat të gjerë dhe për fat të keq nuk janë pikasur cilat janë ato. Depenalizimi i veprave nuik është proces thjesht politik që mund të shtyhet dhe vendoset në një krah apo tjetër. Qëndrimi politik është vota e parlamentit dhe nuk ka dyshim për këtë. Elementët ligjore që përfshihen në këtë proces të mos neglizhohen, siç është frekuenca e ndodhjes së kësaj vepre si rastet praktike apo niveli i kriminalitetit në përgjithësi. Konsultimi publik na lejon të kuptojmë nëse do të shkojmë te depenalizimi apo jo. Nëse kriminaliteti, ky është një pozicionim që krijon ndikim, influencë, në drejtësi, atëherë çështja që lidhet me depenalizimin duhet parë me një sy objektiv dhe të kujdesshëm. Ne si grup pune kemi menduar, që përveç atyre provokimeve që thashë, kemi menduar që në shumicën tonë dërrmuese apo unanime, këto vepra të penalizohen. Por diskutimi publik mund të jetë një test që të verifikohet nëse ky penalizim është i drejtë apo jo. Nuk bëhet fjalë për populizëm, sondazhe të rreme e dëshira, por për një sondazh real që na lejon të kuptojmë a ia vlen të penalizohet për shembull bigamia, pirja e alkoolit në publik etj, që janë çështje të thjeshta në pikëpamjen ligjore, por në pikëpamjen sociale janë shumë të rëndësishme. Ka edhe çështje të tilla që kërkojmë të depenalizojmë siç është eutanazia që nuk është prekur në publik apo prostitucioni, edhe për këtë çështje nuk është folur fare. Diskutimi publik është mjaft i rëndësishëm sepse na jep një përgjigje të arsyeshme dhe të besueshme dhe gati në nivel shkenzor, lidhur me faktin nëse këto vepra duhet penalizuar apo jo.”, shtoi Rakipi.
Duke u ndalur te prostitucioni Rakipi tha: “Kodi aktual e ka 1.5 vjet burg dhe gjobë , ndërsa projekti ynë orienton dhe synon depenalizimin sepse lidhet edhe me masa të tjera penalizimi. Nuk e di kur do ndodhë. Të depenalizohet ushtrimi i këtij profesioni. Për fat të keq duhet të përdor termin profesion, vajza apo djali që ushtron me vullnet të lirë, për fat të keq duhet ta quaj profesion. Kodi italian e francez nuk e dënon ushtrimin e prostitucionit dhe ne tendencën e kemi atje. Propozimi ynë nuk është për shkaqe thjesht ngjashmërie me ca ndodh në Europë se kjo nuk do të mjaftonte. Unë mendoj se terreni shqiptar nuk mbahet më me lëndë penale, sidomos në këtë fushë. Ky lloj profesioni ka marrë përkrahje të gjerë që demonstrohet haptasi edhe nga influencerët e jetës të të miturve apo të tjerëve në vend. Për rrjedhojë lënda penale tashmë është e padobishme. Këtu jemi bazuar për të bërë propozimin tonë.”