Vendosni fjalën kyçe....

Hamasi thotë se është i gatshëm për marrëveshje, Netanyahu: Po spërdridhen, i dinë kushtet


Hamasi tha sot se është i hapur për një “marrëveshje gjithëpërfshirëse”, por vetëm me disa kushte që Izraeli nuk ka gjasa t’i pranojë.

Në një deklaratë, Hamasi tha se është ende duke pritur përgjigjen e Izraelit ndaj propozimit të ndërmjetësimit të 18 gushtit, i cili bëri thirrje për lirimin e 10 nga 20 pengjeve që besohet se janë gjallë.

Grupi shtoi se është i përgatitur për një shkëmbim të plotë: “Lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të një numri të rënë dakord të të burgosurve palestinezë, sipas një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftimeve, do tërhiqte forcat izraelite nga Gaza, do hapte kalimet kufitare dhe do fillonte rindërtimin e Gazës”.

Por Izraeli ka përjashtuar një tërheqje të plotë nga Gaza dhe Hamasi nuk iu përgjigj një kërkese tjetër kyçe izraelite – që grupi terrorist të çarmatoset. Hamasi tha se do pranonte “krijimin e një qeverie të pavarur kombëtare teknokratike që do merrte përgjegjësinë e plotë për menaxhimin e punëve të Gazës në të gjitha fushat”, shkruan Ynet.

Zyra e Netanyahut hodhi poshtë gjithashtu deklaratën e Hamasit: “Fatkeqësisht, ky është një tjetër përdredhje nga Hamasi që nuk ka asgjë të re. Lufta mund të përfundojë menjëherë me kushtet e vendosura nga Kabineti i Sigurisë: lirimi i të gjithë pengjeve, çarmatimi i Hamasit, demilitarizimi i Rripit të Gazës, vazhdimi i kontrollit të sigurisë izraelite në Gaza dhe krijimi i një administrate alternative civile që nuk nxit terror ose nuk kërcënon Izraelin. Vetëm këto kushte do e pengojnë Hamasin të riarmatoset dhe të përsërisë masakrën e 7 tetorit përsëri e përsëri, siç premton.”