Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: Ekonomia po bie, shqiptarët po humbasin besimin 


Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë se ka zhytur vendin në krizë ekonomike dhe ka ndërtuar një sistem që favorizon vetëm një pakicë të lidhur me pushtetin, ndërsa shumica paguan çmimet e larta.

Reagimi i Tabakut erdhi pas publikimit të treguesit të besimit ekonomik për muajin gusht, që sipas saj konfirmon krizën në rritje: treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 0.8 pikë, industria humbi 4 pikë, shërbimet ranë me 2.1 pikë dhe konsumatorët u treguan më pesimistë duke ulur blerjet e tyre.

“Ndërtimi, dikur krenaria e qeverisë, mbahet gjallë vetëm nga spekulimi me çmime. Ky është sistemi i Ramës: taksat e larta i paguan shumica, ndërsa buxheti shpërndahet në korridoret e pushtetit për klientelën e privilegjuar”, theksoi Tabaku.

Sipas saj, kriza më e madhe nuk është vetëm rënia e treguesve, por humbja e besimit tek ekonomia dhe tek e ardhmja. “Një vend ku qytetarët ndihen të pasigurt për jetën e tyre ekonomike, është një vend që nuk ka asnjë shans të ndërtojë mirëqenie. Ky është bilanci i 12 viteve të qeverisë Rama: shqiptarët më të varfër, oligarkët më të pasur”, shtoi Tabaku.

Deputetja demokrate paralajmëroi se nëse sistemi nuk ndryshon dhe nëse nuk merren masa për të mbrojtur shtresën e mesme dhe punën, vendi rrezikon të mbetet peng i një ekonomie të deformuar që shërben vetëm për pakicën në pushtet.