
Një rrëshqitje masive toke në rajonin Darfur të Sudanit perëndimor ka shkatërruar një fshat, duke lënë mbi 1000 të vdekur, tha të hënën një grup rebel që kontrollon zonën.
Fshati në Sudan u rrafshua plotësisht me tokën, një person mbijeton
Rrëshqitja e dheut ndodhi të dielën në fshatin Tarasin — i vendosur në malet Marra — pas ditësh shiu të pandërprerë, tha Lëvizja/Ushtria Çlirimtare e Sudanit.
Lëvizja rebele tha se kishte vetëm një të mbijetuar në fshatin e goditur nga katastrofa.
“Informacioni fillestar tregon vdekjen e të gjithë banorëve të fshatit, që vlerësohet të jenë më shumë se një mijë individë, me vetëm një të mbijetuar”, tha grupi.
Fshati “tani është rrafshuar plotësisht me tokën”, shtoi ajo.
Grupi u ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara dhe agjencive ndërkombëtare të ndihmës që të ndihmojnë në gjetjen e trupave të viktimave.
Situata humanitare në përkeqësim e sipër në Sudan
Sudani është aktualisht në vitin e tretë të një lufte civile vdekjeprurëse dhe po përjeton një nga krizat më të këqija humanitare në botë .
Në disa pjesë të Darfurit është shpallur zi buke.
Njerëzit që ikin nga lufta midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në shtetin e Darfurit të Veriut kanë kërkuar strehim në zonën e Maleve Marra ku ushqimi dhe ilaçet janë të pakta, shkruan DW.