Vendosni fjalën kyçe....

Ndarja nga jeta e Anagnostit, Meta: Trashëgimia e tij, monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit


Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vdekjes së aktorit dhe regjisorit të njohur shqiptar, Dhimitër Anagnosti.

Ai e cilësoi Anagnostin si një personalitet të rrallë të artit dhe kulturës kombëtare, i cili la pas një trashëgimi të vyer që do të frymëzojë gjeneratat e ardhshme.

Meta shprehu ngushëllime për familjen dhe komunitetin artistik, duke e quajtur veprën e tij një monument të pavdekshëm të kinemasë shqiptare.

“Në panteonin e kulturës kombëtare dhe artit të kinemasë shqiptare, Artisti i Popullit, Dhimitër Anagnosti, do të mbetet përjetësisht i nderuar mes korifejve më të mëdhenj.

Kineast dhe regjisor i shquar, skenarist e mendimtar, ai na la trashëgim një vepër të ndritur, që do të vazhdojë të frymëzojë gjeneratat e ardhshme, duke u bërë metaforë emblematike e historisë së kinematografisë shqiptare dhe model frymëzues i një brezi krijuesish idealistë e patriotë.

Filmat e Anagnostit, edhe pse të krijuar në një kohë të caktuar historike, falë vizionit e talentit të tij të jashtëzakonshëm, mbeten vepra universale që përcjellin mesazhe të përjetshme dhe gjithmonë aktuale.

Me pikëllim të thellë u shpreh familjes dhe komunitetit të artistëve ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të rrallë të artit dhe kulturës sonë kombëtare, i cili i dha emër e dinjitet kinemasë shqiptare dhe lartësoi identitetin tonë kulturor.

Trashëgimia e tij e vyer do të mbetet një monument i pavdekshëm në kujtesën e kombit.

Të prehet në paqe! I paharruar kujtimi!”, shkruan Meta.