Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Dyshja Balluku-Verdho shkaktuan një dëm prej 5 milionë euro në Buxhetin e Shtetit


Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar mbi kallëzimin penal ndaj ministres Belinda Balluku për tenderin e ndërtimit të paneleve diellore në Digën e Zadejës, me vlerë 8.13 milionë euro. Bardhi akuzon Ballukun dhe vartësin e saj, Ergys Verdho, se kanë fryrë kostot, duke shkaktuar një dëm prej 5 milionë euro Buxhetit të Shtetit.

Ai argumenton se një tender i ngjashëm i zhvilluar nga SPAK për ndërtimin e paneleve në institucionin e tij kishte kosto më të ulët se gjysma e çmimit të tenderit të Digës së Zadejës. Bazuar në këtë krahasim, Bardhi thotë se projekti i Balluku-Verdho ka shkaktuar një dëm të rëndë financiar, duke përfituar kompanitë private të lidhura me ta.

Por, paligjshmëria dhe abuzimi në këtë procedurë prokurimi publik provohen edhe nga një tender që ka realizuar vetë SPAK në gusht 2025 për ndërtimin e paneleve diellore në tarracën e institucionit. Konkretisht, SPAK ka shpallur tenderin me fond limit 80 mijë euro për 180 kËp ose 444.4 euro për kËp.”

Bardhi ka kërkuar nga SPAK të përshpejtojë hetimet dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore dyshen Balluku-Verdho për veprimet e tyre me pasoja të konsiderueshme për Buxhetin e Shtetit.

“Prandaj, thirrja ime për prokurorët e SPAK që po merren me hetimin e kësaj afere korruptive, është të veprojnë menjëherë dhe pa vonesë për të konkluduar hetimet e tyre dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore dyshen Balluku-Verdho për veprimet dhe mosveprimet e tyre të paligjshme me pasoja shumë të rënda për Buxhetin e Shtetit dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë.”

Më poshtë reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

PALIGJSHMËRIA DHE ABUZIMI I BELINDA BALLUKUT ME 5 MILION EURO PROVOHET NGA NJË TENDER QË KA REALIZUAR VETË SPAK NË GUSHT 2025!

Në 4 nëntor 2024, kam kallëzuar në SPAK tenderin korruptiv për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës, me vlerë 8.13 milionë euro, që mban firmën e Belinda Ballukut dhe vartësit të saj, Ergys Verdho, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm prej të paktën 5 milionë euro që dihet se në xhepat e kujt kanë përfunduar.

Konkretisht, kompania fituese e tenderit do të ndërtonte kapacitetin prej 1 Mwp për vlerën 985 mijë euro, ndërsa e njëjta kompani në sektorin privat kishte ndërtuar të njëjtin kapacitet për vlerën 365 mijë euro ose 620 mijë euro më pak. Pra, nëse panelet diellore në Digën e Zadejës do të ndërtoheshin me të njëjtat çmime si në sektorin privat, atëherë Buxheti i Shtetit do të kursente së paku 5 milionë euro.

Por, paligjshmëria dhe abuzimi në këtë procedurë prokurimi publik provohen edhe nga një tender që ka realizuar vetë SPAK në gusht 2025 për ndërtimin e paneleve diellore në tarracën e institucionit. Konkretisht, SPAK ka shpallur tenderin me fond limit 80 mijë euro për 180 kËp ose 444.4 euro për kËp. Ndërsa, në tenderin e organizuar nga dyshja Balluku-Verdho, një kËP i kushton Buxhetit të Shtetit 985 euro, më shumë se dyfishi i kostos së SPAK.

Nëse tenderi për ndërtimin e paneleve diellore në Digën e Zadejës do të zhvillohej nga SPAK, atëherë ky projekt do t’i kushtonte Buxhetit të Shtetit 3.6 milionë euro ose 4.5 milionë euro më pak se sa i ka kushtuar dyshes korruptive Balluku-Verdho, duke provuar kështu dëmin e rëndë që i është shkaktuar Buxhetit të Shtetit, parave të taksaguesve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të kompanive private të lidhura me këtë dyshe.

Dokumentet e tenderit të zhvilluar nga SPAK në gusht 2025, të cilat pavarësisht se prokurorët e posaçëm i kanë, do t’ua vëmë sërish në dispozicion, përbëjnë provën e pakundërshtueshme të paligjshmërisë, abuzimit dhe korrupsionit në sektorin e energjisë elektrike, me autore Belinda Ballukun dhe vartësit e saj, drejtues të kompanive publike. Vetë SPAK-u ka arritur të provojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se ndodhemi së paku në kushtet e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Prandaj, thirrja ime për prokurorët e SPAK që po merren me hetimin e kësaj afere korruptive, është të veprojnë menjëherë dhe pa vonesë për të konkluduar hetimet e tyre dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore dyshen Balluku-Verdho për veprimet dhe mosveprimet e tyre të paligjshme me pasoja shumë të rënda për Buxhetin e Shtetit dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë.