
Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe përpjekje për të kthyer Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në një biznes fitimprurës, duke lënë në harresë nevojat jetike të pacientëve.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, deklaroi se qeveria po abuzon me fondet publike dhe ka lejuar projekte që nuk lidhen me përmirësimin e shërbimeve mjekësore.
“Pa u shqetësuar për medikamentet jetësore që mungojnë, qeveria e Edi Ramës i jep prioritet ideve të të bërit biznes. Kështu, qendra më e madhe shëndetësore në vend, QSUT, po kthehet në një qendër tregtare fitimprurëse,” tha Vangjeli.
Sipas PD-së, Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) shpalli në shtator të vitit të kaluar një tender me vlerë 14 milionë euro me TVSH, për ndërtimin e një parkimi multifunksional dhe një hoteli me pesë kate në ambientet e QSUT.
Tenderi u fitua nga Salillari shpk me mbështetjen e ASL shpk dhe kontrata parashikon përfundimin e punimeve brenda 24 muajsh.


Vangjeli shtoi se menaxhimi i parkimit të ri dhe shërbimeve që lidhen me projektin mund t’i besohet Agjencisë Ekonomike Mbështetëse, një strukturë e krijuar nga FSHZH në vitin 2018 dhe e drejtuar nga Alfred Dalipi, ish-zv.ministër i Mjedisit dhe ish-deputet i PS-së.
“Kjo agjenci nisi aktivitetin e saj duke vendosur tarifa parkimi në QSUT dhe sot menaxhon parkime dhe projekte në të gjithë vendin,” theksoi Vangjeli, duke përmendur si shembuj Qendrën e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë, parkimet në Berat dhe Gjirokastër, si dhe komplekse agroturistike në Belsh e Vermosh.
Sipas saj, ky është një tjetër rast ku interesat e qytetarëve dhe nevojat për investime në shëndetësi lihen në plan të dytë.
“Në vend që të garantohet furnizimi me ilaçet e domosdoshme, qytetarëve u ofrohen dhoma hoteli në oborrin e spitalit më të madh në vend,” u shpreh Vangjeli.