
Dhjetëra adoleshentë bllokuan të dielën korsitë veriore të autostradës Ayalon pranë nyjës së Rokach, duke vendosur zjarr në banka shkolle dhe duke protestuar për lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamas.
Ata kërkuan që qeveria izraelite të nënshkruajë një marrëveshje për kthimin e pengjeve dhe për t’i dhënë fund luftës, duke paralajmëruar se nuk do të shkojnë në shkollë më 1 shtator, përcjell Ynet.
Organizatorët e grupit rinor që udhëhoqi protestën thanë se nuk mund të vazhdojnë mësimin ndërsa pengjet mbahen dhe vriten në tunelet e Hamasit, ndërsa qeveria nuk po ndërmerr hapa për marrëveshjen e propozuar.
“Sot jemi nxënës të shkollës së mesme, por pas një viti ose dy vitesh do të jemi me uniformë. Duam dhe kemi nevojë të dimë se kur të shkojmë në front, vendi ynë do të qëndrojë pas nesh dhe do të respektojë angazhimet morale dhe etike mbi të cilat jemi rritur,” thanë ata.
Nxënësit shtuan se nuk do të pranojnë më neglizhencën e vazhdueshme ndaj çështjes së pengjeve.
“Do të luftojmë për pengjet, do të luftojmë për vlerat me të cilat jemi rritur, do të luftojmë për të ardhmen tonë dhe nuk do të ndalemi derisa pengu i fundit të kthehet në shtëpi. I bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit të veprojë sot për të avancuar një marrëveshje, për të siguruar kthimin e të gjithë pengjeve dhe për t’i dhënë fund luftës,” thanë ata.