
Policia e Krujës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të kanabisit, në kuadër të planit operacional antikanabis “Koordinata”.
Gjatë një operacioni të zhvilluar në fshatin Larushk, u zbuluan dy parcela me gjithsej 50 bimë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa.
Në kuadër të aksionit u arrestuan në flagrancë një 63-vjeçare me inicialet L. T. dhe një 15-vjeçar, ndërsa një tjetër person, 47-vjeçari Y. T., është shpallur në kërkim. Të tre të dyshuarit janë familjarë.
Policia bëri të ditur se një pjesë e bimëve narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të planit operacional “Koordinata”, goditën një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i të cilit u vunë në pranga shtetasja L. T., 63 vjeçe dhe një shtetas 15 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Y. T., 47 vjeç (familjarë)”, njoftoi policia.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.