Vendosni fjalën kyçe....

Policia Kufitare shpëton sportistin maqedonas në Pogradec


Policia Kufitare në Pogradec shpëtoi një sportist nga Maqedonia e Veriut, i cili devijoi fluturimin me paraglajder për shkak të erës së fortë dhe rrezikonte të binte në fshatin Alarup.

Policia e lokalizoi menjëherë dhe konstatoi e ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore, duke e dërguar më pas në PKK Qafë Thanë për të kaluar në Maqedoninë e Veriut. 

Njoftimi:

Pogradec

Policia Kufitare i shkoi në ndihmë një sportisti të Maqedonisë së Veriut, që fluturonte me paraglajder.

Shërbimet e Policisë reaguan me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke bërë të mundur lokalizimin e tij.

Pas informacionit të marrë nga komandanti i Shën Naumit, të Maqedonisë së Veriut, se një parashutist ishte ngritur në fluturim dhe, si pasojë e erës së fortë, kishte devijuar fluturimin dhe mund të kishte rënë në fshatin Alarup, Pogradec, menjëherë shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë bërë të mundur lokalizimin e tij dhe kanë marrë kontakt me sportistin, shtetasin V. P., i cili ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Nga ana e shërbimeve të DVKM Korçë, është bërë e mundur dërgimi i këtij shtetasi në PKK Qafë Thanë, i cili ka kaluar për në Maqedoninë e Veriut.

Sportisti falënderoi shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.

Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe fton këdo që ndodhet në nevojë të telefonojë në numrin pa pagesë 112.