Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata amerikane: Tarifat globale të Trump-it janë të paligjshme


Një gjykatë e apelit në Shtetet e Bashkuara ka vendosur se shumica e tarifave tregtare të vendosura nga presidenti Donald Trump janë të paligjshme, duke hapur rrugën për një betejë të re ligjore që mund të përfundojë në Gjykatën e Lartë dhe të tronditë axhendën e tij të politikës së jashtme.

Vendimi prek tarifat e ashtuquajtura “reciproke”, të vendosura pothuajse ndaj të gjitha vendeve të botës, si dhe ato kundër Kinës, Meksikës dhe Kanadasë.

Në vendimin e marrë me shumicë votash 7-4, Gjykata e Apelit e Qarkut Federal e quajti vendosjen e këtyre tarifave “të pavlefshme dhe në kundërshtim me ligjin”, përcjell BBC.

Gjykata theksoi se aktet ligjore që Trump kishte përdorur për të justifikuar tarifat, si International Emergency Economic Powers Act (IEEPA), nuk i japin presidentit kompetenca për të vendosur taksa apo tarifa, duke e cilësuar këtë kompetencë si “një fuqi thelbësore të Kongresit”.

Vendimi do të hyjë në fuqi më 14 tetor, duke i lënë administratës kohë për të kërkuar që çështja të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë.

Trump reagoi ashpër në rrjetin e tij Truth Social, duke e cilësuar vendimin si “një goditje fatale për ekonominë amerikane”:
“Nëse ky vendim lejohet të qëndrojë, kjo do të shkatërronte Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shkroi ai.
Ai shtoi se heqja e tarifave do të ishte “një katastrofë totale për vendin, që do të na bënte financiarisht të dobët, ndërkohë që ne duhet të jemi të fortë.”

Tarifat e vendosura nga Trump përfshinin një taksë bazë prej 10% për pothuajse çdo vend në botë, si dhe tarifa të ashtuquajtura “reciproke”, duke u justifikuar se tregtia e padrejtë dëmtonte sigurinë kombëtare amerikane.

Edhe pse administrata paralajmëroi se një anulim i tarifave mund të shkaktojë një krizë ekonomike të ngjashme me kolapsin financiar të vitit 1929, gjykata theksoi se Kongresi nuk ka deleguar kurrë kompetenca të pakufizuara për tarifat.

Kjo çështje tani pritet të shkojë në Gjykatën e Lartë, e cila kohët e fundit ka treguar prirje për të kufizuar pushtetin ekzekutiv në raste të ngjashme.

Gjykata e Lartë ka një shumicë konservatore me gjashtë gjyqtarë të emëruar nga republikanët, përfshirë tre nga vetë Trump.

Nëse Gjykata e Lartë merr përsipër çështjen, ajo pritet të vendosë nëse programi i gjerë i tarifave të Trump-it ishte një tejkalim i kompetencave presidenciale apo një ushtrim legjitim i autoritetit të tij ligjor.