Vendosni fjalën kyçe....

Tiranë/ Sulmuan autobusët e tifozëve, 3 të arrestuar


Pesë persona janë identifikuar si autorë të sulmit ndaj tre autobusëve që transportonin tifozë futbolli në aksin “Qafë Kashar – Rinas”. Policia arrestoi në flagrancë tre prej tyre, të moshës 29-32 vjeç, ndërsa dy të mitur 17-vjeçarë u proceduan në gjendje të lirë.

Sipas hetimeve, autorët penguan qarkullimin e automjeteve dhe qëlluan me sende të forta ndaj autobusëve, duke shkaktuar dëme.

Njoftimi:

Tiranë

Penguan qarkullimin e automjeteve dhe gjuajtën me sende të forta 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli, identifikohen 5 shtetas. Vihen në pranga 3 prej tyre, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 32 vjeç, K. S., 29 vjeç dhe Sh. S., 30 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur 17 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pas mesnate, në aksin rrugor “Qafë Kashar – Rinas”, kanë penguar qarkullimin e automjeteve dhe kanë gjuajtur me sende të forta, 3 autobusë që transportonin tifozët e një ekipi futbolli.

Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, të kryera në bashkëpunim.