
SPAK përfundon hetimet dhe dërgon në Gjykatën e Posaçme dosjen e presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhit dhe tre personave të tjerë të përfshirë në çështjen që rëndon ndaj tyre, Pirro Xhixho, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku.
Meta përballet me tre raste të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Kryemadhi akuzohet për dy raste korrupsioni pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash.
Nga hetimet, SPAK deklaron se Meta dhe Kryemadhi kanë përdorur pushtetin dhe ndikimin politik për të favorizuar biznese të caktuara në këmbim të përfitimeve financiare. Të pesë të pandehurit dyshohet se kanë bashkëpunuar në skemat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Në këtë proces, SPAK ka bashkëpunuar edhe me autoritetet e SHBA-së, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas përfundimit të hetimeve, më 29.08.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, procedimin penal nr. 55/2019, në ngarkim të të pandehurve:
Ilir Meta, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,“Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.
Monika Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në dy raste të kryera në bashkëpunim,“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim , “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 të Kodit Penal.
Pirro Xhixho, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.
Ema Çoku, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Fatime Kryemadhi, e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Ky procedim penal është rezultat i një hetimi intensiv, i cili ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasardhëse në bazë të kallëzimeve të ndryshme. Në vitin 2024, të gjitha procedimet e veçuara u bashkuan në një të vetëm.
Hetimet zbuluan një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, pastrim të produkteve të veprës penale, dhe fshehje të pasurive apo mosdeklarimi i shpenzimeve të konsiderueshme në deklaratat periodike të pasurive.
Episodet e dokumentuara tregojnë subjektet e procedimit, të cilët në bashkëpunim mes tyre janë përfshirë në kryerjen e veprave penale të përmendura më sipër. Episode të detajuara në lidhje me akuzat e ngritura dhe faktet penale të kryera nga të pandehurit, mund ti gjeni në Njoftimin për Shtyp, i publikuar në faqen zyrtare të SPAK: NJOFTIM PËR SHTYP Datë 21.10.2024 – spak.gov.al
Për hetimet e kryera, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bashkëpunuar me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.