Vendosni fjalën kyçe....

Rama sulmon gjykatësin Ligoraq Toshi: S’e pa të udhës të mbajë anën e komunitetit, lejoi ndërtimin mes pallateve


Kryeministri Rama akuzoi sot gjyqtarin Ligoraq Toshi se nuk la lejuar prishjen e një ndërtese pa leje me kupolë xhami.

Sipas kreut të qeverisë, ndërtesa në fjalë ka bllokuar kalimin mes dy pallateve. Ai thekson se gjykatësi në fjalë nuk ka mbajtur anën e komunitetit po është reshtuar në anën e biznesit.

“Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve, që të mos hapet kalimi i mbyllur mes dy pallateve nga kjo ngrehinë pa leje me kupolë xhami, nën të cilën shtrihet një dyqan. Gjykatësi Ligoraq me siguri nuk e ka parë të udhës që të mbajë anën e komunitetit të zënë në kurth nga ky ndërtim pa leje dhe as nuk e ka menduar që mos o Zot, në rast zjarri ky dyqan kthehet në barrikadë vrastare, e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit.”, tha Rama.

Më tej kryeministri ceku emrat e gjyqtarëve të cilët i ka akuzuar më herët se nuk kanë mbrojtur interesin publik.

“Gjykatësi Ligoraq i bashkohet kësisoj prokurores Gjeli, gjykatësve Balliu e Demiri, në dosjen që Ministria e Drejtësisë do t’i përcjellë organeve të kontrollit e të vetëqeverisjes së gjyqësorit, ndërkohë që ne do të kërkojmë që ankimimeve në këto organe t’u bashkohen edhe qytetarët e dëmtuar nga këto masa sigurie absurde, në dëm të komunitetit, mjedisit dhe rendit ligjor.”, shtoi Rama.