
Biznesmeni i njohur nga Kosova Behgjet Pacolli e ka quajtur të shtrembëruar dhe të padrejtë shkrimin e medias online Kapitali sipas së cilës Pacollit po i bëhej presion për t’i marrë aeroportin e Vlorës..
Ai shkruan se ato që shkruan media në fjalë janë të pavërteta ndërsa thekson se ka qenë në kryeministri për një vizitë kortezie bashkë me drejtorin e kompanisë Mabco, koncesionare e shumicës së Aeroportit të Vlorës.
Ai sqaron se nuk ka pasur asnjë presion apo kërkesë për t’u përfshirë edhe qeveria në këtë biznes dhe ajo që shkruan mediate është e pavërtetë.
“Është e padrejtë të krijohen histori me insinuata. Artikulli i gazetës Kapitali është po aq i shtrembëruar sa edhe i padrejtë.
Unë, së bashku me drejtorin e kompanisë Mabco, koncesionare shumicë e Aeroportit të Vlorës, kemi qenë në Kryeministri thjesht për një vizitë kortezie, ku informuam për ecurinë e punimeve në aeroportin e Vlorës.
Nuk është aspak e vërtetë, as korrekte, të thuhet se ka pasur ndonjë presion apo kërkesë për t’u përfshirë qeveria, ashtu siç raportojnë disa media.
Në fakt, duke qenë se aeroporti tashmë po hyn në një fazë të re zhvillimi profesional, Mabco ka nisur procesin e riorganizimit të brendshëm, që lidhet vetëm me menaxhimin normal.” – shkruan Pacolli.
Më herët sot Kapitali shkruante se Pacollit po i bëhej presion për t’i marrë aeroportin e Vlorës me forcë. Shkrimi theksonte një takim më 12 gusht të asamblejsë së ortakëve të shoqërisë Mabco Construction, e cila zotëron 98 për qind të aksioneve të aeroportit të Vlorës, në Lugano të Zvicrës.
Sipas saj, në rendin e ditës të mbledhjes jashtë radhe kishte vetëm një pikë të pazakontë dhe shumë të çuditshme. Shoqëria në fjalë vendosi të mos lejojë asnjë shitje aksionesh në aeroportin e Vlorës.


