Vendosni fjalën kyçe....

Berisha ironizon dekoratat e Ramës për zjarrëfikësit: Tallje me njerzit që rrezikojnë jetën pa mjete kundër zjarrit


Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar ndaj ceremonisë së organizuar nga kryeministri Edi Rama, ku u ndanë medalje nderi për punonjësit e Zjarrfikësve, Forcat e Armatosura dhe ekipet e Emergjencave që u angazhuan në përballimin e zjarreve këtë verë.

Berisha e cilësoi ceremoninë si një “tallje me njerëzit që rrezikojnë jetën”, duke thënë se qeveria po e trajton betejën me flakët si një garë sportive dhe jo si një emergjencë që kërkon mjete dhe mbështetje serioze.

“Kur Forcat e Armatosura dhe zjarrfikësit dalin me degë pishash dhe lopata për të fikur zjarret, dhe më pas u dorëzohen medalje ari, kjo është tallje, jo nderim. Për ta çuar deri në fund komedinë, mund t’u kishte dhënë ‘Lopata Ari’,” – shkruan Berisha në një postim në Facebook.

Ai thekson se, pavarësisht vlerësimit maksimal për sakrificën e zjarrfikësve dhe efektivëve të ushtrisë, ajo që u nevojitet atyre nuk janë medalje dhe lëvdata boshe, por mjete, infrastrukturë dhe mbështetje financiare.

“Ata nuk kanë nevojë për lëvdata boshe dhe medalje ari apo bronzi nga Ramaduro dhe narko-zyrtarë të tjerë përgjegjës për dëmet e jashtëzakonshme të zjarreve këtë verë. Ata kanë nevojë për mjete, infrastrukturë kundër zjarrit, përkujdesje, rroga, bonuse dhe sidomos respekt njerëzor dhe institucional,” – shprehet Berisha.

Berisha renditi edhe një sërë shpenzimesh që, sipas tij, kanë lënë vendin të pambrojtur ndaj emergjencave natyrore, duke akuzuar qeverinë për keqpërdorim të fondeve publike.

“Me 24 milionë euro për çarterin privat të Ramës, 130 milionë euro nga inceneratori i Tiranës, 50 milionë euro të vjedhura nga Rama-Balluku në Tunelin e Llogarasë, e deri te 7 milionë euro për ‘Giro d’Italia’, Shqipëria mund të kishte blerë 10 avionë, 5 helikopterë dhe 150 zjarrfikëse,” – thekson Berisha.

Në fund të deklaratës, PD paralajmëroi se përgjegjësit për atë që e quan “krim shtetëror” nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë.

“Drejtësia vonon, por nuk do të harrojë të gjithë përgjegjësitë e dëmeve madhore të zjarreve të këtij viti,” – mbyllet shkrimin ai.