Vendosni fjalën kyçe....

Aksionet dhe obligacionet franceze bien ndërsa qeveria përballet kolapsin e mundshëm


Perspektiva që qeveria e pakicës në Francë mund të shembet shpejt shkaktoi një shitje të ndjeshme të aksioneve dhe obligacioneve franceze të martën, duke i rikthyer rreziqet politike nga ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës në qendër të vëmendjes së investitorëve.

Tre parti kryesore të opozitës thanë se nuk do e mbështesnin një votëbesim që kryeministri Francois Bayrou njoftoi për 8 shtator mbi planet e tij për shkurtime të gjera buxhetore, shkruan Reuters.

Indeksi i aksioneve më të mëdha franceze CAC40 ra me mbi 2%, në nivelin e tij më të ulët në pothuajse tre javë, pasi kishte rënë me 1.6% të hënën vonë. Gjigantët bankarë BNP Paribas dhe Societe Generale ranë me më shumë se 6% secili, ndërsa aksionet me kapitalizim të mesëm ranë me gati 3%.

Ndërkohë, rendimentet e obligacioneve qeveritare franceze 10-vjeçare u rritën shkurtimisht në 3.53%, më e larta që nga marsi, përpara se të stabilizoheshin në 3.50%. Kur rendimenti i një obligacioni rritet, çmimi i tij bie.

Hendeku midis rendimenteve të obligacioneve 10-vjeçare franceze dhe gjermane, një matës i primit që investitorët kërkojnë për të mbajtur borxhin francez, u zgjerua në rreth 79 pikë bazë – më i madhi që nga prilli.

Analistët kishin parashikuar një rikthim të rrezikut politik francez në vjeshtë, ndërsa qeveria përpiqet të sigurojë mbështetje për hapat për të përmirësuar pozicionin fiskal të Francës.

Por zhvillimet e së hënës erdhën si surprizë.

Nëse Bayrou humbet votëbesimin në Asamblenë Kombëtare, qeveria e tij do të bjerë. Presidenti Emmanuel Macron mund të emërojë një kryeministër të ri, t’i kërkojë Bayrou-t të mbetet në krye të një qeverie të përkohshme, ose mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme.