
Të paktën 19 persona u vranë të hënën nga një sulm izraelit mbi spitalin Nasser në Khan Younis, në jug të Gazës, mes tyre edhe disa gazetarë, sipas autoriteteve palestineze.
Shefi i Shtabit të Ushtrisë izraelite (IDF), Eyal Zamir, urdhëroi një hetim të menjëhershëm mbi incidentin, ndërsa ushtria deklaroi se “nuk synon gazetarët” dhe “punon për të minimizuar viktimat civile”, por “sigurinë e trupave e ka prioritet”.
Sipas njoftimit të IDF, spitali u godit pasi u zbulua një “kërcënim i besueshëm” mbi çatinë e tij, përcjell Ynet.
Pamje të shpërndara në rrjete sociale tregojnë momentin kur spitali u qëllua.
Ministria e Komunikimeve e drejtuar nga Hamasi në Gaza njoftoi se në mesin e viktimave janë fotografi i Reuters, Husam Al-Masri, fotografi i Al Jazeera, Muhammad Salama, gazetari Moaz Abu Taha dhe gazetarja e pavarur Mariam Abu Daka, e cila kishte mbi 200 mijë ndjekës në Instagram.
Sipas ministrisë, ata po mbulonin zhvillimet në oborrin e spitalit në momentin e goditjes.
Burime lokale raportojnë se dy sulme të tjera pasuan në të njëjtën zonë, ndërsa ekipet e mbrojtjes civile po evakuonin të plagosurit e shpërthimit të parë.
Zyrtarë në Gaza thanë se sulmi nuk u krye nga ajri, por me raketa të lëshuara nga toka ose nga deti.
Ushtria izraelite deklaroi se kërcënimi vinte nga brenda ambienteve të spitalit, i cili sipas saj “duhej të ishte evakuuar” në bazë të paralajmërimeve të mëparshme.
Vlerësimet paraprake tregojnë se spitali u godit nga të paktën dy predha të lëshuara njëra pas tjetrës.
Sipas ushtrisë, po verifikohet nëse sulmi u krye nga artileria apo tanket.
IDF theksoi se spitalet janë “zona të ndjeshme” dhe nuk mund të goditen pa miratimin e një oficeri të lartë dhe pa përfunduar procedura të posaçme.
Drejtori i spitalit, dr. Atef Al-Houth, deklaroi për televizionin Al-Arabi se goditja ndodhi “pa asnjë paralajmërim” dhe se predha e parë shkatërroi katin e katërt të spitalit.
“Disa salla operacioni nuk funksionojnë më. Ne po trajtojmë rreth 1.000 pacientë, ndërsa kapaciteti ynë është vetëm 140 shtretër,” tha ai.
Ngjarja ndodhi në kohën kur ushtria izraelite po përgatitet për një operacion të ri tokësor në thellësi të qytetit të Gazës, që kryeministri Benjamin Netanyahu e ka përshkruar si “bastioni final të Hamasit në veri të Gazës”.
Operacioni, i koduar “Karrocat e Gideonit II”, vjen pas mobilizimit të dhjetëra mijëra rezervistëve, me synimin për të luftuar militantët e Hamasit që kanë ndërtuar një rrjet të gjerë tunelesh nën qytet.
Një zyrtar i lartë i IDF tha për CNN se nuk ka një shifër të saktë për numrin e militantëve në qytet, por pritet që përballjet me forcat e Hamasit të jenë të vështira në rrjetin e ashtuquajtur “metro”, i përbërë nga poste komanduese strategjike, degëzime të shumta dhe korridore taktike që shfrytëzohen për lëvizje të shpejta dhe sulme pritash.
Ushtria izraelite paralajmëroi se rreth një milion banorë të Gazës duhet të evakuohen përpara fillimit të operacionit, në përputhje me vendimin e kabinetit që ka përcaktuar datën 7 tetor – dyvjetorin e nisjes së luftës – si afatin simbolik për përfundimin e evakuimeve.
Pas këtij afati, priten sulme të reja mbi zona të qytetit që deri tani janë kursyer për shkak të pranisë së lartë të civilëve.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e quajti Gazën “kryeqytetin e Hamasit” dhe paralajmëroi: “Nëse do të ketë konflikt, portat e ferrit do të hapen.”