
Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë zgjedhur Retsef Levi-n, si anëtar të panelit kryesor të vaksinave, për të udhëhequr grupin e punës për imunizimin kundër COVID-19, tha një zëdhënës i departamentit të shëndetësisë për Reuters.
Retsef Levi kishte kritikuar vaksinat mRNA në të kaluarën, duke thënë se ato mund të shkaktojnë dëme serioze dhe vdekje, veçanërisht tek fëmijët, dhe bëri thirrje për tërheqjen e tyre të menjëhershme. Retsef nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të Reuters për koment.
Grupi i punës për imunizimin COVID-19 i CDC-së shqyrton të dhënat në lidhje me sigurinë, efektivitetin dhe imunogjenitetin e vaksinave COVID-19 të autorizuara në Shtetet e Bashkuara, shkruan Reuters.
Agjencia ndryshoi rekomandimin e saj për fëmijët në maj, duke thënë se vaksina mund t’u jepet fëmijëve të shëndetshëm të moshës gjashtë muaj deri në 17 vjeç nëse prindërit dhe mjekët bien dakord për nevojën e vaksinës.
Megjithatë, ajo tërhoqi rekomandimin e saj për vaksinën për gratë shtatzëna. Retsef u emërua në Komitetin Këshillimor të CDC-së për Praktikat e Imunizimit (ACIP) në qershor, pasi Sekretari i Shëndetësisë Robert Kennedy Jr. shkarkoi të gjithë 17 anëtarët. Bloomberg News ishte i pari që raportoi lajmin të hënën.