
Ish-kryeministri Sali Berisha doli sot në një deklaratë për mediat nga selia e Partisë Demokratike, ku sulmoi ashpër Partinë Socialiste dhe qeverinë, duke akuzuar se sistemi i patronazhimit është “përsosur” gjatë dy viteve të fundit dhe është kthyer në një rrjet të institucionalizuar kontrolli politik.
“Sot para jush dhe mbarë shqiptarëve i rikthehem një çështje themelore, shkatërrimtare për çdo proces zgjedhor të lirë: sistemi i patronazhistëve, i ndërtuar nga Edi Rama dhe i mbrojtur nga Altin Troplini,” deklaroi Berisha, duke e cilësuar këtë sistem si një “strukturë kriminale shtetërore” që “shkel Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe çdo normë ndërkombëtare për zgjedhje të lira.”
Ai theksoi se në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Partia Socialiste “e transformoi sistemin e patronazhimit në një rrjet të strukturuar dhe të institucionalizuar kontrolli politik”, duke futur, sipas tij, shantazhin dhe mbikëqyrjen brenda institucioneve publike.
“Nëpunësit civilë u shndërruan në instrumente presioni ndaj qytetarëve,” u shpreh Berisha, duke shtuar se “Partia shtet përdori të dhënat personale, shërbimet publike dhe frikën e humbjes së vendit të punës për të ndikuar sjelljen elektorale të qytetarëve.”
Berisha publikoi të dhëna që, sipas tij, vijnë nga qarku i Fierit, duke akuzuar zv.kryeministren Belinda Balluku për “transformimin e institucioneve shtetërore në seli elektorale.”
“Laptopi i Belindës ishte më i aksesueshëm,” ironizoi ai, duke shtuar: “Në zgjedhjet e fundit, çdo punonjës dhe çdo institucion i Fierit, nën drejtimin e Lubi Ballukut, u kthye në operator elektoral.”
Duke folur për origjinën e këtij sistemi, Berisha rikujtoi se skandali i vitit 2021, kur u publikuan të dhëna të mbi 910 mijë qytetarëve, nuk u hetua kurrë.
“Çdo votues kishte një patronazhist — një xhelat vote, një punonjës i administratës shtetërore, i paguar me para publike, me detyrë të ndjekë dhe manipulojë qytetarin përpara dhe gjatë zgjedhjeve,” tha ai.
Sipas tij, gjatë viteve 2023–2025, në vend që të ndërmerreshin reforma, “qeveria e zgjeroi më tej këtë sistem.”
“Ministritë, bashkitë dhe ndërmarrjet shtetërore u shndërruan në seli elektorale, ndërsa nëpunësit civilë u përdorën si kontrollorë votash,” u shpreh Berisha.
Ai akuzoi gjithashtu se “database-i i patronazhimit administrohet nga AKSHI, nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, dhe të dhënat shpërndahen deri në shtabet elektorale të PS-së për profilizim politik të votuesve.”
Berisha përfundoi deklaratën me një thirrje për veprim:
“Ky është një krim zgjedhor i përmasave kombëtare. Ky sistem nuk mund të ekzistojë në një vend që pretendon demokracinë. Ai duhet të shembet dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë,” u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha akuzoi SPAK-un se “ka mbyllur sytë para këtij krimi elektoral” dhe se “drejtësia e kapur po bën mburojë të regjimit të Ramës dhe Ballukut.”