
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar sot pamje të tjera nga kamerat e qendrave të votimit në qarkun e Fierit, duke akuzuar Partinë Socialiste për manipulim masiv të procesit të 11 majit.
Sipas Bardhit, videot e reja tregojnë se në qendrën e votimit 2826, në njësinë administrative Golem, bashkia Lushnjë, janë regjistruar plot 73 raste të shkeljeve të rënda, ku komisionerë, vëzhgues dhe patronazhistë të PS-së “kanë votuar në vend të qytetarëve apo kanë kontrolluar se si votonin ata në dhomën e fshehtë”.
Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Bardhi akuzon se procesi elektoral në Fier është kthyer në një “operacion kriminal të bandës elektorale të Belinda Ballukut”.
“Këqyrja e pamjeve filmike të qendrave të votimit në qarkun Fier vazhdon të konfirmojë se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve për përfaqësuesit e tyre parlamentare, por një operacion kriminal i bandës elektorale të Belinda Ballukut,” shkruan Bardhi.
Ai shton se kontrolli i vullnetit të qytetarëve ka prodhuar vetëm një rezultat: deformimin e mandatit përfaqësues dhe grabitjen e tij nga eksponentë të lidhur me krimin e organizuar.
“Kontrolli i plotë dhe total i vullnetit të qytetarëve nuk mund të prodhonte tjetër rezultat, përveçse grabitjen padrejtësisht të mandatit përfaqësues të qytetarëve nga zyrtarë të korruptuar dhe të lidhur me eksponentë të krimit të organizuar,” shkruan ai.
Bardhi shkon më tej duke akuzuar zyrtarë të lartë të qeverisë dhe duke e lidhur situatën me mungesën e reagimit të organeve të drejtësisë.
“Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë fijet që lidhin pazgjidhshmërisht Belinda Ballukun dhe terroristët e saj elektoralë në qarkun e Fierit. Fije, të cilat janë kthyer në rrjeta ku kanë ngecur prokurorët e posaçëm që nuk arrijnë akoma të shohin krimet elektorale, të ekzekutuara në dritë të diellit,” thekson ai.
Bardhi ka deklaruar se publikimi i pamjeve të reja do të vazhdojë, si pjesë e asaj që ai e quan “zbardhje të operacionit kriminal që ka deformuar zgjedhjet parlamentare të 11 majit”.
Postimi i plotë:
Këqyrja e pamjeve filmike të qendrave të votimit në qarkun Fier vazhdon të konfirmojë se zgjedhjet e 11 majit nuk ishin një shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve për përfaqësuesit e tyre parlamentare, por një operacion kriminal i bandës elektorale të Belinda Ballukut.
Pamjet më poshtë i përkasin qendrës së votimit 2826, njësia administrative Golem, bashkia Lushnjë, në të cilat shfaqen 73 raste ku komisionerë, vëzhgues apo patronazhistë të Partisë Socialiste votojnë në vend të qytetarëve apo kontrollojnë mënyrën se si votojnë qytetarët.
Kontrolli i plotë dhe total i vullnetit të qytetarëve nuk mund të prodhonte tjetër rezultat, përveçse grabitjen padrejtësisht të mandatit përfaqësues të qytetarëve nga zyrtarë të korruptuar dhe të lidhur me eksponentë të krimit të organizuar.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë fijet që lidhin pazgjidhshmërisht Belinda Ballukun dhe terroristët e saj elektoralë në qarkun e Fierit. Fije, të cilat janë kthyer në rrjeta ku kanë ngecur prokurorët e posaçëm që nuk arrijnë akoma të shohin krimet elektorale, të ekzekutuara në dritë të diellit.