Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky premton vazhdimin e luftës deri në fitore në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës


Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina do të vazhdojë luftën për lirinë dhe të ardhmen e saj të sigurt dhe paqësore, gjatë një fjalimi drejtuar kombit në Ditën e Pavarësisë.

“Ne kemi nevojë për një paqe të drejtë, një paqe ku e ardhmja jonë do të vendoset vetëm nga ne,” tha Zelensky, duke shtuar se Ukraina do të luftojë kundër Rusisë “derisa thirrjet tona për paqe të mos dëgjohen”.

Ai theksoi se “Ukraina ende nuk ka fituar, por sigurisht që nuk ka humbur.”

Deklaratat e tij erdhën vetëm pak orë pasi Moska akuzoi Kievin për sulme me dronë ndaj disa objekteve energjetike në territorin rus, përfshirë një termocentral bërthamor në rajonin e Kurskut, përcjell BBC.

Autoritetet ruse njoftuan se një transformator ishte dëmtuar nga sulmi dhe se kishte pasur një zjarr të vogël që u shua shpejt, ndërsa niveli i rrezatimit mbeti brenda normave.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) reagoi duke theksuar se “çdo objekt bërthamor duhet të mbrohet në çdo kohë”, ndërsa u bëri thirrje palëve të tregojnë përmbajtje maksimale.

Në Kiev, dita e pavarësisë u shënua me një ceremoni zyrtare dhe ngritjen e flamurit kombëtar.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, mori pjesë në ceremonitë zyrtare duke qëndruar përkrah Zelenskyt. “Dua të them diçka shumë të thjeshtë dhe të rëndësishme: Kanadaja do të qëndrojë gjithmonë krah për krah me Ukrainën,” deklaroi ai.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe i dërguari amerikan, Keith Kellogg, të cilit Zelensky i dorëzoi “Urdhrin e Meritës” të shkallës së parë.

Pas falënderimeve të presidentit ukrainas për të dhe për Presidentin Donald Trump, Kellogg u dëgjua t’i thoshte Zelenskyt: “Do ta bëjmë që kjo të funksionojë.”

Shefi i kabinetit të Zelenskyt, Andriy Yermak, shkroi në Telegram: “Në këtë ditë të veçantë – Ditën e Pavarësisë së Ukrainës – është veçanërisht e rëndësishme për ne të ndiejmë mbështetjen e miqve tanë. Dhe Kanadaja ka qenë gjithmonë pranë nesh.”

Mbretëra e Bashkuar gjithashtu dërgoi mesazhe mbështetjeje.

Mbreti Charles, në një letër për popullin ukrainas, shkruante: “Vazhdoj të ndiej admirimin më të madh dhe më të thellë për shpirtin e pathyeshëm të popullit ukrainas. Mbetem me shpresën që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.” Zelensky e cilësoi këtë mesazh si “frymëzim të vërtetë për popullin tonë në këtë kohë të vështirë lufte.”

Mbështetja për Kievin u konfirmua edhe nga Londra, e cila njoftoi se flamujt ukrainas do të valëviten mbi Downing Street dhe se programi britanik i trajnimit të ushtarëve ukrainas do të zgjatet deri në fund të vitit 2026.

Norvegjia, nga ana tjetër, njoftoi se do të kontribuojë me rreth 7 miliardë korona norvegjeze (514 milionë paund) për sisteme të mbrojtjes ajrore, duke financuar së bashku me Gjermaninë dy sisteme Patriot.

Një marrëveshje e re u arrit edhe mes Ukrainës dhe Suedisë për bashkëprodhimin e pajisjeve ushtarake.

Ministri suedez i mbrojtjes, Pål Jonson, tha se kjo marrëveshje “do të forcojë riaramatosjen e Suedisë dhe do të plotësojë nevojat e forcave të armatosura të Ukrainës.”

Ndërkohë, në Sheshin e Pavarësisë në Kiev, qytetarët vendosën lule dhe flamuj në një memorial të improvizuar për ushtarët e rënë në mbrojtje të vendit, ku përkrah flamurit ukrainas shiheshin edhe flamuj të vendeve mike.

Në frontin lindor, Rusia njoftoi se forcat e saj kanë marrë nën kontroll dy fshatra në rajonin e Donetskut.

Megjithatë, avancimi mbetet i ngadaltë dhe me kosto të lartë, ndërsa aktualisht Rusia kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës.

Diplomacia ndërkombëtare për përfundimin e luftës ka qenë intensive gjatë këtij muaji.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin u takuan në Alaskë më 15 gusht, një samit që u cilësua si hap i rëndësishëm drejt paqes.

Por, edhe pse të dy liderët e konsideruan takimin të suksesshëm, Trump ka shprehur zhgënjim për mungesën e një marrëveshjeje paqeje.

“Do të marr një vendim për atë që do të bëjmë, dhe do të jetë një vendim shumë i rëndësishëm, nëse do të jenë sanksione masive apo tarifa masive, ose të dyja, ose nuk do të bëjmë asgjë dhe do t’ju themi se është lufta juaj,” deklaroi ai të premten.

Zelensky ka përsëritur kërkesën për një armëpushim të pakushtëzuar dhe ka akuzuar Rusinë se “po bën gjithçka që mundet për të penguar një takim me Putinin” për t’i dhënë fund luftës.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Putin është i gatshëm për një takim “kur të jetë gati agjenda për një samit”, duke akuzuar Zelenskyn se “po thotë jo për gjithçka”.