
Rreth 76% e të moshuarve mbi 65 vjeç në vendin tonë nevojë për asistencë në aktivitetet e përditshme, sipas një anketë që zhvilloi programi i Kombeve të Bashkuara (PNUD) në fund të vitit të kaluar në 790 familje me të moshuar mbi 65 vjeç.
Të moshuarit u ndanë në tre grupe kryesore: Të pavarur ose minimalisht të varur (49%), pjesërisht të varur dhe me vështirësi fizike (28%), si dhe shumë të varur me sëmundje të shumta (24%).
Të dhënat e përpunuara nga anketa treguan se sa më i lartë niveli i varësisë, aq më e përhapur është prania e sëmundjeve kronike. Në grupin shumë të varur, 84% vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, 61% nga artriti dhe 53% nga dhimbjet kronike. Mesatarisht, këta individë raportuan 4.3 sëmundje secili, krahasuar me 2.3 tek grupi i pavarur.
Mbi gjysma e të moshuarve shumë të varur (56%) vizitojnë mjekun çdo 1-2 muaj. Po ashtu, gjysma e tyre marrin rregullisht më shumë se pesë barna, ndërsa 43% raportojnë nevojë për pajisje shtesë mjekësore.
Megjithëse nevoja për ndihmë financiare është e madhe, shumë të moshuar përballen me pengesa burokratike dhe mungesë informacioni mbi programet e mbrojtjes sociale. Vetëm 6% përfitojnë aktualisht pagesa për paaftësi, ndërsa 41% nuk kanë dijeni për programet ekzistuese.
Grupi shumë i varur i të moshuarve ka nevoja të theksuara, pasi 92% kërkojnë ndihmë për ecjen, 85% për t’u ngritur nga shtrati, 77% për larje e veshje. Po ashtu, mbi 90% kanë nevojë për ndihmë në menaxhimin e barnave, blerje dhe pagesa faturash.
Grupi pjesërisht i varur shfaq kërkesa më të moderuara për ndihmë, 69% për ecje, 37% për t’u ngritur nga shtrati, ndërsa mbi 70% kërkojnë ndihmë në blerje dhe pagesa.
Grupi i pavarur nuk ka nevoja për shërbime të tilla si pastrimi (68%) dhe blerjet (66%).
Anketa tregoi se për të moshuarit shumë të varur kërkohet kujdes i vazhdueshëm dhe asistencë gjithëpërfshirëse, ndërsa për grupin pjesërisht të varur më efektive do të ishin shërbimet rehabilituese dhe teknologjitë ndihmëse që mund të parandalojnë rritjen e varësisë.
Të dhënat e studimit tregojnë qartë se grupi shumë i varur i të moshuarve përbën kategorinë më të rrezikuar, duke pasur nevojë për kujdes të vazhdueshëm dhe asistencë gjithëpërfshirëse, jo vetëm shëndetësore, por edhe ekonomike e sociale./Monitor