
Mburoja bërthamore e Rusisë duhet të forcohet në vitet e ardhshme për shkak të “kërcënimeve të mëdha” me të cilat përballet fuqia më e madhe bërthamore në botë, tha të enjten kreu i korporatës shtetërore bërthamore të Rusisë.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara po përmirësojnë arsenalet e tyre bërthamore – duke përfshirë sistemet e përdorura për të zbuluar dhe kapur raketat bërthamore para se të godasin – pikërisht në një kohë kur Kina po rrit kapacitetin e saj bërthamor shumë përtej atyre të Britanisë dhe Francës, shkruan Reuters.
“Në gjendjen e tanishme gjeopolitike, bëhet fjalë për kërcënime të mëdha për ekzistencën e vendit tonë. Prandaj, mburoja bërthamore, është një garanci e sovranitetit tonë”, citoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA të thoshte Alexei Likhachev.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në maj zbuloi planet për një të ashtuquajtur mburojë mbrojtëse të quatur “Kupola e Artë”, e frymëzuar nga mburoja tokësore “Kupola e Hekurt” e Izraelit, që do kushtonte të paktën 175 miliardë dollarë.
Kupola amerikane do synonte të kapte një gamë raketash – duke përfshirë ato balistike, hipersonike dhe ato lundruese – dhe synon të bllokojë kërcënimet nga Rusia dhe Kina. Megjithatë, ekspertët ushtarakë bien dakord se asnjë mburojë e tillë nuk mund të kapë të gjitha raketat, veçanërisht në sasinë që mund të lëshojnë Moska ose Uashingtoni. Rusia ka rreth 4,300 koka bërthamore, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë rreth 3,700, një total prej rreth 87% të inventarit të përgjithshëm botëror, sipas një studimi nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë.
Sipas hulumtimit, Kina është fuqia e tretë më e madhe bërthamore në botë me rreth 600 koka bërthamore, e ndjekur nga Franca me 290, Britania me 225, India me 180, Pakistani me 170, Izraeli me 90 dhe Koreja e Veriut me 50.