
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka denoncuar një aferë të rëndë që, sipas tij, cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të vendit. Në një deklaratë nga selia blu, Balliu akuzoi kryeministrin Edi Rama për krijimin e shoqërisë “KAYO” në maj 2024, duke emëruar në krye ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ardi Veliun.
Sipas Balliut, KAYO ka krijuar disa kompani në partneritet me subjekte private, mes tyre edhe “TIMAC shpk”, e cila u përfshi më pas në themelimin e “TIMAC Defence”. Deputeti denoncoi se kompanitë, me kapital minimal prej vetëm 35 mijë eurosh, pretendojnë të ndërtojnë industri armësh në Shqipëri, pavarësisht mungesës së transparencës dhe kritereve të sigurisë.
Ai solli në vëmendje edhe shitjen e 49% të aksioneve të “TIMAC shpk” për vetëm 490 euro tek biznesmeni Ron Yeffet, të cilin e lidhi me afera të dyshimta financiare brenda dhe jashtë vendit.
Balliu akuzoi gjithashtu se vetëm dy javë pas krijimit, KAYO ndërhyri me forcë për të uzurpuar ambientet e televizionit “News24”, duke mos respektuar vendimet gjyqësore dhe kontratat në fuqi.
“Si është e mundur që gjysma e një kompanie të shitet për 490 euro? Kush i mbron interesat kombëtare në këtë proces kaq delikat?”, u shpreh Balliu.
Partia Demokratike i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe agjencive shtetërore që të nisin hetime të plota mbi këto kompani dhe të ndalojnë çdo veprim që rrezikon pasuritë strategjike të vendit.
Sipas PD-së, kjo aferë nuk është vetëm financiare, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe integritetin e institucioneve.