
Presidenti rus Vladimir Putin ka sugjeruar që bisedimet e paqes me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky të mbahen në Moskë, por kjo është refuzuar menjëherë nga lideri i Ukrainës, bëhet e ditur nga burime diplomatike për Daily Mail.
Sipas dy burimeve të njohura me një bisedë 40-minutëshe mes Putinit dhe Presidentit amerikan Donald Trump, ky i fundit ka folur drejtpërdrejt me kreun e Kremlinit për të nisur planifikimin e një takimi mes dy liderëve në luftë. “Putin përmendi Moskën”, raportojnë burimet, ndërsa Zelensky u përgjigj prerazi me “jo”.
Ndërkohë, Presidenti francez Emmanuel Macron ka sugjeruar që Gjeneva të shërbejë si vend neutral për zhvillimin e takimit. Autoritetet zvicerane kanë premtuar se do t’i garantojnë Putinit imunitet nëse udhëton drejt qytetit për bisedimet e paqes.