Vendosni fjalën kyçe....

Drejtori ekzekutiv që zëvendësoi 80% të stafit për revolucionin e inteligjencës artificiale


Kur mendonit se kishit parë ndonjë shef ekzekutiv shumë të ashpër, Eric Vaughan e ngriti stekën.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë amerikane të softuerëve për ndërmarrje, IgniteTech, bëri lëvizjen më të guximshme të karrierës së tij në fillim të vitit 2023: ai e çmontoi kompaninë pothuajse deri në thelb, duke zëvendësuar gati 80% të punonjësve të saj për t’u përshtatur me vizionin e tij për një të ardhme të drejtuar nga inteligjenca artificiale.

Ndërsa shumica e firmave të teknologjisë ende po debatonin nëse IA gjeneruese ishte një truk apo një përparim i vërtetë, Vaughan ishte i bindur se ajo do përcaktonte të ardhmen e industrisë. Problemi? Shumë pak nga punonjësit e tij e ndanin këtë besim. Shumë prej tyre kundërshtuan ndryshimet e tij rrënjësore dhe rezistenca shpejt u shndërrua në sabotim aktiv.

Ishte ekstreme, pranoi Vaughan në një intervistë me Fortune.

“Ky nuk ishte qëllimi. Ishte tepër e vështirë. Por e kuptova se ndryshimi i mënyrës së të menduarit të njerëzve është shumë më i vështirë sesa t’u mësosh atyre aftësi të reja.

Rezistenca shndërrohet në sabotim

Në fillim, Vaughan u përpoq të ritrajnonte fuqinë punëtore ekzistuese. Të hënat u riemërtuan si “Ditët e IA-së”, kur stafi mund të punonte vetëm në projekte të lidhura me IA-në. Objektivat tremujore u hoqën. Takimet me klientët u riformësuan. IgniteTech investoi para në kurse trajnimi për IA-në, bleu licenca mjetesh dhe madje punësoi ekspertë të jashtëm për ta bërë sa më të këndshëm mësimin. Në vend të entuziazmit, ai hasi në rebelim.

Punonjësit rezistuan duke përdorur mjetet në dispozicion, dhanë qëllimisht rezultate të dobëta ose anashkaluan seancat e trajnimit. Një raport i kohëve të fundit nga ofruesi i platformës së IA-së ëriter tregoi se Vaughan nuk ishte i vetëm: një në tre punonjës të anketuar pranuan se kishin sabotuar në mënyrë aktive zbatimin e IA-së në kompaninë e tyre.

Kundërshtimi më i fortë nuk erdhi nga shitjet ose marketingu, por nga vetë ekipet teknologjike të IgniteTech.

“Në vend që të shihnin potencialin, ata vijuan të përqendroheshin në atë që sistemet e IA-së nuk mund të bënin”, tha Vaughan.

Nga revolucioni te fitimi

Deri në mesin e vitit 2023, Vaughan pranoi se ndryshimet e detyruara të kulturës rrallë kanë sukses. “Nuk mund ta bësh dikë të besojë në ndryshim nëse nuk dëshiron”, tha ai. Pas muajsh përplasjesh, IgniteTech rindërtoi fuqinë punëtore të saj, duke rekrutuar “specialistë të IA-së dhe inovacionit” në çdo departament, nga financa te marketingu. Kompania e rrafshoi hierarkinë e saj dhe e vendosi IA-në në qendër të çdo ekipi.

Rezultatet pasuan shpejt. Deri në fund të vitit 2024, IgniteTech prezantoi dy produkte IA në pritje të patentave – duke përfshirë Eloquens AI, një platformë automatizimi të email-eve – bleu firmën e angazhimit të klientëve Khoros dhe raportoi një fitim më të lartë se sa pritej.

Vaughan këmbëngul se procesi i dhimbshëm e shpëtoi kompaninë.

“IA nuk është thjesht një ndryshim teknologjik – është një ndryshim kulturor dhe biznesi”, tha ai.

 “Në fund të fundit, të gjithë duhet të jenë në të njëjtën barkë dhe të lundrojnë së bashku. Përndryshe, nuk mund të shkosh askund.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet