Vendosni fjalën kyçe....

Tender 2.1 milionë euro për sisteme antidron, AKSHI synon të mbrojë burgjet nga depërtimet ajrore


Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka hapur një tender me vlerë 2.13 milionë euro për ngritjen e një sistemi antidron që do të mbrojë burgjet shqiptare nga depërtimet ajrore me qëllime të paligjshme.

Aktualisht, siguria në institucionet e vuajtjes së dënimit mbështetet vetëm te rojet dhe kamerat e sigurisë.

Nevoja për këtë investim u bë urgjente pas disa ngjarjeve të pazakonta vitin e kaluar.

Më 8 shtator 2024, një dron që tentoi të fuste sende të ndaluara në burgun e Burrelit u kap nga autoritetet, duke çuar në arrestimin e 37-vjeçarit Tauland Ahmetsulaj. Vetëm pesë ditë më pas, një tjetër dron u përpoq të fuste kokainë në burgun e Peqinit.

Në vijim, më 16 shtator, drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Klevis Qosja, ngriti alarmin në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, duke theksuar: “Nevoja është maksimale për dixhitalizimin e sistemeve, duke filluar nga sistemi i perimetrit të jashtëm dhe sistemi me anti-dron.”

Gati një vit më pas, AKSHI ka hedhur hapin konkret duke shpallur tenderin për kontraktimin e kompanisë që do të instalojë sistemin antidron në 21 burgjet e vendit.

Sipas dokumentacionit, sistemi synon të parandalojë përdorimin e dronëve për kontrabandë, shpërndarje eksplozivësh, spiunazh apo thyerje të privatësisë.

Ky investim pritet të forcojë ndjeshëm sigurinë, pasi aktualisht burgjet shqiptare nuk disponojnë mjete efektive për neutralizimin e këtyre teknologjive, duke i lënë të ekspozuara ndaj tentativave të përsëritura për depërtim ajror.