
Presidenti rus Vladimir Putin raportohet se i ka thënë Donald Trump gjatë samitit në Alaskë javën e kaluar se forcat e tij do të mund të pushtojnë të gjithë rajonin e Donetskut deri në tetor, nëse Ukraina nuk pranon ta dorëzojë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, përcjell NY Post.
Megjithatë, Kievi dhe vëzhguesit amerikanë theksojnë se Kremlini nuk ka arritur të marrë këtë territor për më shumë se një dekadë, pavarësisht luftës së përgjakshme trevjeçare dhe rebelimit të mbështetur nga Moska që prej vitit 2014.
Një vlerësim i shërbimeve amerikane, sipas Axios, sugjeron se Rusia mund të arrijë përparim në 30% të mbetur të Donetskut që ende nuk e kontrollon. Por ekspertët e Institute for the Study of War (ISW) në Uashington paralajmërojnë se pretendimi është i ekzagjeruar. “Edhe nëse Rusia do të ruante ritmin aktual të avancimit, që në fakt nuk po e mban dot, do t’i duheshin rreth 475 ditë për të marrë Donetskun e plotë – pra deri në dhjetor 2026,” tha George Barros, kreu i ekipit për Rusinë në ISW.
Burime ukrainase po ashtu e quajtën të pabesueshme analizën, duke kujtuar se premtime të tilla janë bërë që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022. “Donetsk deri në tetor? Këtë e kanë thënë prej kohësh,” u shpreh një amerikan që shërben në forcat e armatosura të Ukrainës.
Në takimin me Trump, Putin thuhet se ka kërkuar jo vetëm Donetskun, por edhe Luhanskun, Krimenë, Zaporizhian dhe Khersonin si kusht për të ndalur agresionin. Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka hedhur poshtë këto kërkesa, duke deklaruar se Ukraina nuk do të dorëzojë territore ku ushtarët e saj kanë mbrojtur me sukses kundër forcave ruse të mbivendosura dhe të tejarmatosura.