
Policia e Padovës ka arrestuar tre burra, të dyshuar si autorë të një grabitjeje të dhunshme të ndodhur natën e 10 gushtit në një banesë të qytetit. Viktima ishin një çift në të shtatëdhjetat, të cilët u zunë në befasi nga grabitësit e maskuar. Burri u godit me levë dhe më pas u shkelmua, ndërsa autorët morën telefonat celularë të çiftit për t’i penguar të njoftonin ndihmë dhe tentuan të hapnin një kasafortë, por pa sukses.
Hetimet e shpejta çuan në identifikimin e tre shqiptarëve, sjellja dhe pamja e të cilëve përputheshin me përshkrimin e dhënë nga viktimat. Gjatë bastisjes në banesën e tyre, policia gjeti sende me vlerë, bizhuteri, çanta, rreth 15 mijë euro para në dorë, si dhe mjete të përdorura në grabitje, përfshirë leva, doreza, radio dore dhe rrobat e natës së ngjarjes.
Në banesë ndodheshin edhe dy të rinj të tjerë shqiptarë, 27 dhe 28 vjeç, të cilët kishin hyrë në Itali vetëm një ditë më parë, të dy pa precedentë penalë dhe pa banim të fiksuar. Autoritetet dyshojnë se ata kishin ardhur për t’iu bashkuar grupit dhe për të kryer vjedhje të tjera.