
Një i burgosur shqiptar ka arritur të arratiset nga Klinika Kirurgjikale e Spitalit të Përgjithshëm në Kostur, ku po trajtohej, duke ngritur në këmbë të gjitha strukturat policore për kërkim dhe kapje.
Ai konsiderohet si individ me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas mediave greke, bëhet fjalë për një 28-vjeçar, i cili po mbahej nën vëzhgim dhe shoqërim të rojeve, por megjithatë arriti të largohet në rrethana ende të paqarta.
Incidenti ka shkaktuar trazira në komunitetin lokal dhe ka ngritur alarmin në radhët e forcave të policisë që po kryejnë operacionin e kërkimit.
Një operacion i gjerë policor është duke u zhvilluar jo vetëm në Kostur, por edhe përgjatë kufirit, pasi dyshohet se i arratisuri mund të përpiqet të kthehet në Shqipëri për t’u fshehur.
Prokuroria është njoftuar për ngjarjen dhe pritet të lëshojë urdhër për publikimin e detajeve dhe fotografisë së 28-vjeçarit të arratisur.