Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Zjarret në vend krim shtetëror i Edi Ramës, vendi i papërgatitur për shkak të korrupsionit


Berisha i quajti zjarret që përfshinë vendin javët e fundit krim shtetëror.

Kreu i PD-së tha nga selia blu se qeveria e vendit ishte krejtësisht e papërgatitur për zjarret dhe se kjo po ndodh në mënyrë të përsëritur vit pas viti.

Ai akuzoi kryeministrin Rama për korrupsion, vjedhje e indiferencë ndërsa shtoi se zjarret në Shqipëri shkaktuan trefish dëme më shumë se në vendet e tjera.

“Një krim të vërtetë shtetëror zjarret, flakët dhe djegiet e mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, bahçe, pyje. Djegien e qindra banesave në fshatrat e Gramshit, Delvinës dhe në një seri zonash të tjera. Djegien e qindra dhe mijëra bagëtive, pa llogaritur këtu kafshët e egra dhe rrafshimin e të gjithë florës dhe faunës në këto zona. Djegien e qindra mijëra koshereve të bletëve. Por sot, unë jam këtu për të qartësuar shqiptarët se pse shkatërrimet e zjarreve këtë vit janë një krim i vërtetë shtetëror. Janë një krim shtetëror për arsye se në mënyrë të papërgjegjshme për shkak të korrupsionit, vjedhjes, indiferencës dhe injorancës, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr. Shqipëria pësoi zjarre dhe djegie me përmasa dy gjer në tre herë më të mëdha se të gjitha vendet e rajonit. Dhe jo se zjarret nuk shpërthyen në të gjithë rajonin, por çdo vend ishte shumë, shumë më i përgatitur se Shqipëria në betejën kundër zjarreve. Në tërësi, sistemi i zjarrfikëseve, i vjetër, i trashëguar nga 15-20 vite më parë, i dorëzuar tek bashkitë socialiste, u tregua i ndryshkur dhe dizfunksional. – tha Berisha.