Vendosni fjalën kyçe....

Aksident tragjik në Greqi, kamioni përplaset me dy makina, vdesin 3 shqiptarë


Një aksident tragjik ka ndodhur në rrugën Egnatia në Greqi ditën e sotme (18 gusht), ku viktima kanë mbetur 3 shqiptarë dhe një i katërt (grua), u plagos rëndë teksa mjeti i tyre shpërtheu në flakë pas goditjes.

Pamjet rrënqethëse të aksidentit u shpërndanë me shpejtësi në rrjete sociale dhe media, teksa një prej mjeteve u përfshi i gjithi nga flakët, duke karbonizuar trupat e viktimave.

Sipas Prothothema.gr, aksidenti i trafikut ndodhi rreth mesditës (11:00), në kilometrin 537.5 të autostradës Egnatia, midis Komotini dhe Xanthi, në pikën e pagesës Iasmos, kur një kamion u përplas me dy makina, të cilat ishin të ndalura në një radhë 600 metrash, duke rezultuar në vdekjen e tre personave dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve dhe më lehtë për 3 të tjerë.

Po hetohet nëse ky aksident ka qenë i qëllimshëm, pasi rrethanat e ngjarjes janë dyshuese. Mjetet shpërthyen në flakë pas përplasjes – duke rezultuar në karbonizimin e tre nga katër pasagjerëve në njërën prej makinave.

Konkretisht, sipas informacioneve, kamioni thuhet se u përplas ballë për ballë me automjetin përpara tij, i cili u përfshi nga flakët.

Në mjet ndodheshin 4 banorë shqiptarë të Athinës, një burrë 59-vjeçar, një burrë 61-vjeçar (pasagjer), një grua 57-vjeçare dhe një grua 49-vjeçare. Tre të parët u karbonizuan, ndërsa e fundit arriti të dilte vetë nga makina.

Mjeti tjetër i përfshirë në aksident mbante 4 të afërm grekë, gjithashtu banorë të Athinës, një shofer 36-vjeçar, një pasagjer 28-vjeçar dhe dy djem të moshës 4 dhe 5 vjeç. Të gjithë u dërguan në spitalin e Komotinit me lëndime të lehta.

Megjithatë, raportohet se shoferi bullgar i kamionit është plagosur rëndë.

Zjarri u përhap edhe përreth Autostradës Egnatia, në zonat rurale. Menjëherë u mobilizuan zjarrfikësit dhe policia, të cilët nxituan në zonë me forca të shumta, së bashku me tre ambulanca EKAB.

Nga pamjet e publikuara dallohen mjetet e përlmbysura dhe në flakë dhe vatra e zjarrit që përhapet, e favorizuar edhe nga era, teksa njerëzit vrapojnë.