
Ministria e Mbrojtjes ka ndërmarrë masa për të mbështetur blegtorët në zonat e prekura nga zjarret e fuqishme gjatë javës së fundit. Drejtoria e Rezervave të Shtetit shpërndau 11 ton koncentrat për ushqimin e bagëtive në Gramsh, njoftoi ministri Pirro Vengu.
Ai bëri të ditur se shpërndarja e ushqimeve për bagëtitë ka përfshirë edhe zonat e Delvinës dhe Himarës, ku blegtorët janë ndihmuar me 38 ton koncentrat gjatë ditëve të fundit.
“Në mbështetje të blegtorëve të Bashkisë Gramsh, Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit shpërndau 11 ton koncentrat për ushqimin e bagëtive. Ndërkohë, në Delvinë dhe Himarë, blegtorët e zonës janë ndihmuar me 38 ton koncentrat,” shkruan ministri Vengu në Facebook.
Gramshi, Delvina dhe Himara janë ndër zonat më të prekura nga zjarret e javës së fundit në vend, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për mbrojtjen e bagëtive dhe të ekonomisë vendore të blegtorëve.