
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të shtunën se po ndalon lëshimin e të gjitha vizave për vizitorët nga Gaza, ndërsa po kryen një shqyrtim “të plotë dhe tërësor”.
Sipas njoftimit, një “numër i vogël” vizash të përkohshme mjekësore-humanitare janë lëshuar ditët e fundit, por nuk u dha një shifër e saktë, shkruan Ynet.
Më parë, SHBA-ja kishte lëshuar mbi 3,800 viza vizitorësh B1/B2 për mbajtësit e dokumenteve të udhëtimit të Autoritetit Palestinez, të cilat u mundësojnë të huajve të kërkojnë trajtim mjekësor në Shtetet e Bashkuara. Kjo shifër përfshin 640 viza të lëshuara vetëm gjatë muajit maj, sipas të dhënave zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Masa e Departamentit Amerikan të Shtetit për ndalimin e vizave për vizitorët nga Gaza vjen pas një reagimi publik të aktivistes së krahut të djathtë dhe aleates së ish-Presidentit Donald Trump, Laura Loomer. Ajo deklaroi të premten në rrjetet sociale se disa “refugjatë” palestinezë kishin arritur në SHBA gjatë këtij muaji.
Deklarata e Loomer shkaktoi reagime të forta mes disa republikanëve amerikanë. Përfaqësuesi nga Teksasi, Chip Roy, tha se do të kërkonte sqarime mbi këtë çështje, ndërsa përfaqësuesi nga Florida, Randy Fine, e përshkroi situatën si një “rrezik për sigurinë kombëtare”.