Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Biseda me Trumpin na afron më shumë me vendimet e duhura


Presidenti rus, Vladimir Putin, e cilësoi takimin me Donald Trump si “shumë të dobishëm”, duke theksuar se bisedimet u përqendruan kryesisht tek konflikti në Ukrainë, por prekën edhe “pothuajse të gjitha fushat” e bashkëpunimit dypalësh.

“Dua të nënvizoj menjëherë se vizita ishte në kohën e duhur dhe shumë e dobishme”, u shpreh Putin, sipas transkriptit të publikuar nga Kremlini në deklaratën e tij hapëse në takim, shkruan BBC.

“Ne folëm për pothuajse të gjitha fushat e bashkëveprimit, por para së gjithash, sigurisht, folëm për një zgjidhje të mundshme të krizës ukrainase në një bazë të drejtë.

Dhe sigurisht, patëm mundësinë, gjë që e bëmë, të flisnim për gjenezën, për shkaqet e kësaj krize. Është eliminimi i këtyre shkaqeve rrënjësore që duhet të jetë baza për zgjidhjen.

E përsëris edhe një herë: pati një mundësi për të shprehur me qetësi dhe në detaje qëndrimin tonë. Ne, sigurisht, e respektojmë qëndrimin e administratës amerikane, e cila sheh nevojën për një përfundim të shpejtë të veprimeve ushtarake.

Epo, edhe ne do ta donim këtë dhe do të donim të kalonim në zgjidhjen e të gjitha çështjeve me mjete paqësore”, tha Putin.

“Biseda me Trumpin ishte shumë e sinqertë, informuese dhe, sipas mendimit tim, na afron më shumë me vendimet e duhura.”