Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 200 të vdekur nga përmbytjet e rrufeshme në Indi dhe Pakistan, dhjetëra të zhdukur


Përmbytjet e rrufeshme të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm kanë vrarë mbi 200 persona në Indi dhe Pakistan gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa ekipet e shpëtimit po kërkojnë të paktën 80 të zhdukur në një fshat të largët të Himalajeve, ku reshjet e dendura shkatërruan një vend pelegrinazhi hindu.

Një helikopter ndihmash që po transportonte furnizime drejt zonave të përmbytura në veriperëndim të Pakistanit u rrëzua të premten për shkak të motit të keq, duke vrarë pesë persona në bord, përfshirë dy pilotët.

Në Kashmirin nën administrimin e Indisë, të paktën 60 persona humbën jetën dhe 80 rezultojnë ende të zhdukur pasi përmbytjet goditën fshatin e largët Chositi.

Mbi 200 pelegrinë hindu po hanin në një kuzhinë komunitare kur uji i furishëm zbriti nga mali, duke marrë gjithçka para, raporton Euronews.

Rreth 50 persona me lëndime të rënda u trajtuan në spitalet lokale, shumë prej tyre të shpëtuar nga një përrua i mbushur me baltë dhe mbetje. Zyrtari i menaxhimit të fatkeqësive, Mohammed Irshad, tha se numri i të zhdukurve mund të rritet.

Chositi, në rrethin Kishtwar të Kashmirit, është fshati i fundit ku mund të shkohet me mjete motorike në rrugën e pelegrinazhit vjetor drejt një faltoreje malore në 3 mijë metra lartësi. Pelegrinazhi, i cili kishte nisur më 25 korrik dhe do të zgjaste deri më 5 shtator, është pezulluar.

Pamjet nga rrjetet sociale tregojnë dëme të mëdha, me orendi të shpërndara pranë shtëpive dhe makinave të dëmtuara.

Autoritetet ndërtuan ura të përkohshme për të ndihmuar pelegrinët e bllokuar të kalonin një kanal me ujë dhe baltë, ndërsa dhjetëra mjete të rënda u përdorën për të pastruar gurët, pemët e rrëzuara dhe shtyllat e energjisë elektrike. Rrethi i Kishtwarit strehon disa projekte hidroenergjetike, për të cilat ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se rrezikojnë ekosistemin e brishtë të rajonit.

 

Qindra turistë të bllokuar nga përmbytjet në Pakistan

Në veri dhe veriperëndim të Pakistanit, përmbytjet e rrufeshme kanë vrarë të paktën 164 persona gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë 78 viktima në rrethin Buner të prekur rëndë të premten.

Dhjetëra persona u plagosën ndërsa uji shkatërroi shtëpitë në fshatrat e Bunerit, ku autoritetet shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Sipas qeverisë lokale, 56 trupa u dërguan në spital nga ambulancat.

Helikopteri që u rrëzua të premten ishte në një mision ndihme kur humbi kontrollin në veriperëndim, bëri të ditur shefi i provincës, Ali Amin Gandapur.

Ekipet e shpëtimit evakuuan 1.300 turistë të bllokuar në rrethin malor Mansehra, i goditur nga rrëshqitjet e dheut një ditë më parë.

Të paktën 35 persona raportohen të zhdukur në këto zona, ndërsa ekipet e ndihmës, të mbështetura nga varkat dhe helikopterët, po punojnë për të arritur tek banorët e izoluar. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave pritet të rritet.

Që nga 26 qershori, mbi 477 persona – kryesisht gra dhe fëmijë – kanë humbur jetën nga incidentet e lidhura me reshjet e shiut në Pakistan, sipas Autoritetit Kombëtar të Menaxhimit të Fatkeqësive.

 

Shkak, reshjet e dendura

Meteorologët parashikojnë më shumë shira të dendur dhe përmbytje në zonë.

Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive e Pakistanit ka dhënë alarme të reja për rrezikun e përmbytjeve nga shpërthimi i liqeneve akullnajore në veri, duke u bërë thirrje udhëtarëve të shmangin zonat e rrezikuara.

Reshjet e papritura e shumë intensive mbi zona të vogla, të njohura si cloudbursts, janë gjithnjë e më të zakonshme në rajonet malore të Himalajeve në Indi dhe në veri të Pakistanit. Ato mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje të dheut që prekin mijëra banorë.

Sipas ekspertëve, rritja e frekuencës së tyre lidhet pjesërisht me ndryshimet klimatike, ndërsa dëmet nga këto stuhi përkeqësohen nga zhvillimi i pakontrolluar në zonat malore.