
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është furnizuar me autoblinda të blera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bënë të ditur autoritetet kosovare për REL.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi këtë furnizim si dëshmi të radhës të partneritetit “të palëkundur me SHBA-në” dhe si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës, e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së SHBA-së”, shkroi Kurti në Facebook.
Edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, u shpreh i kënaqur me avancimin “dinamik të FSK-së”, që sipas tij po fuqizohet me teknologji dhe mjete të avancuara “për të garantuar realizimin e misionit kushtetues”. Ai theksoi se ky transformim nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e SHBA-së, të cilën e quajti “partner strategjik dhe i pazëvendësueshëm, mik i përjetshëm”.
Autoritetet nuk bënë të ditur numrin e automjeteve të blera, por konfirmuan se Kosova synon të vazhdojë blerjet nga SHBA-ja. Vitin e kaluar, vendi bëri kërkesë për blerjen e 200 raketave kundërajrore Javelin dhe aktualisht është në proces pagese.
Kosova ka blerë edhe më parë pajisje ushtarake nga SHBA-ja. Në vitin 2018, u nënshkrua kontratë për furnizimin me 51 automjete Humvee nga kompania amerikane AM General, ndërsa në vitin 2021 SHBA-ja dhuroi 55 automjete të blinduara ASV. Po ashtu, Kosova synon të bëjë blerje të përbashkëta armësh amerikane me Shqipërinë dhe Kroacinë.
Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri nisi në vitin 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet. Këtë vit, buxheti i mbrojtjes arrin në 207.8 milionë euro.