
Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje shteteve të ushtrojnë presion diplomatik ndaj talibanëve, duke e cilësuar ndalesën e shkollimit të vajzave si një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut. Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, tha se ndalimi ka lënë miliona fëmijë jashtë klasave që prej rikthimit të talibanëve në pushtet katër vjet më parë, përcjell REL.
“Në një kohë kur disa po përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet me talibanët, unë bëj thirrje që komuniteti ndërkombëtar të mbetet më i mobilizuar se kurrë për rivendosjen e plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtës së grave afgane për arsimim,” deklaroi Azoulay.
Sipas të dhënave të UNESCO-s, rreth 2.2 milionë vajzave u ndalohet të ndjekin shkollën përtej nivelit fillor, duke e bërë Afganistanin vendin e vetëm në botë ku arsimi i mesëm dhe i lartë është i ndaluar për vajzat dhe gratë.
Azoulay paralajmëroi se “një gjeneratë e tërë e grave afgane po sakrifikohet” dhe i quajti kufizimet e talibanëve, që përfshijnë ndalimin e studimeve universitare dhe të frekuentimit të hapësirave publike, si “aparteid gjinor”.
Që prej gushtit 2021, kur morën pushtetin pas tërheqjes së trupave të huaja, talibanët kanë vendosur rregulla gjithnjë e më të ashpra për gratë dhe vajzat. Deri më sot, Rusia mbetet i vetmi shtet që ka njohur zyrtarisht qeverinë e tyre.