Vendosni fjalën kyçe....

Melania Trump kërcënon me padi prej 1 miliard dollarësh djalin e Joe Biden


Zonja e Parë e SHBA, Melania Trump, ka kërkuar nga Hunter Biden të tërheqë deklaratat ku e lidh atë me trafikantin e seksit Jeffrey Epstein, duke paralajmëruar se do ta padisë nëse kjo nuk ndodh.

Melania kundërshton dy komente të bëra nga djali i ish-presidentit Joe Biden gjatë një interviste këtë muaj me gazetarin britanik Andrew Callaghan, ku ai pretendoi se Epstein e kishte prezantuar atë me presidentin aktual Donald Trump.

Deklaratat e Hunter Biden që lidhnin Melania Trump me Jeffrey Epstein janë “tërësisht të rreme, shpifëse dhe jashtëzakonisht banale”, shkruan avokati i saj, Alejandro Brito, në një letër dërguar Bidenit.

Sipas Brito-s, këto komente, të cilat u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe u raportuan nga mediat ndërkombëtare, i kanë shkaktuar Zonjës së Parë “dëme të mëdha financiare dhe reputacionale”.

Hunter Biden i bëri këto deklarata gjatë një interviste të gjatë, ku kritikoi ashpër “elitat” dhe pjesëtarë të Partisë Demokratike, të cilët sipas tij i penguan babait të tij, Joe Biden, vijimin e fushatës presidenciale vitin e kaluar.

Në një prej komenteve, ai tha: “Epstein ia prezantoi Melanian Trump-it. Lidhjet janë kaq të gjera dhe të thella.” Këtë pretendim, Biden ia atribuoi autorit Michael Wolff, të cilin Trump e ka quajtur më herët “reporter i rendit të tretë” dhe e ka akuzuar për trillime me qëllim shitjen e librave./AP