Vendosni fjalën kyçe....

Kompania britanike Centrica investon 1.5 miliard £ në terminalin më të madh të importit të gazit në Europë



Kompania britanike e energjisë
Centrica, pronare e British Gas, ka vendosur një bast prej 1.5 miliardë paundësh mbi varësinë e ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar nga importet e karburanteve fosile, pasi ka arritur një marrëveshje për të blerë terminalin më të madh të importit të gazit në Europë – Isle of Grain në Kent, përcjell Guardian.

Terminali, me kapacitet për të importuar 15 milionë ton gaz natyror të lëngshëm (LNG) në vit, do të blihet në partneritet me një firmë amerikane të kapitalit privat nga kompania National Grid, e cila vitet e fundit është fokusuar më shumë në rrjetet elektrike sesa në infrastrukturën e gazit.

Shefi ekzekutiv i Centrica-s, Chris O’Shea, e quajti këtë një “aset strategjik” që do të sigurojë furnizimin energjetik të Britanisë “për dekada të tëra” gjatë tranzicionit drejt objektivit të neto zero.

Marrëveshja vjen pas kontratës 20 miliardë paund me kompaninë shtetërore norvegjeze Equinor këtë verë, për furnizimin me rreth 5 miliardë metra kub gaz çdo vit deri në vitin 2035 – sasi e mjaftueshme për të furnizuar 5 milionë shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar.

Centrica gjithashtu ka kërkuar mbështetje qeveritare për një projekt prej 2 miliardë paund për të modernizuar depozitën Rough, më e madhja në vend, si “policë sigurimi” për periudhat kur prodhimi nga dielli dhe era bie.

Edhe pse kërkesa për gaz në Mbretërinë e Bashkuar ra vitin e kaluar në nivelin më të ulët që nga viti 1992, përdorimi i gazit për ngrohje dhe gatim pritet të vazhdojë për dekada, pasi programi i qeverisë për zëvendësimin e bojlerëve me pompa nxehtësie elektrike nuk po ecën me ritmin e synuar.

Ndërkohë, sektori i energjisë elektrike po ul ndjeshëm varësinë nga centralet me gaz, me erën që në vitin 2024 prodhoi më shumë energji se gazi (30% kundrejt 26%), dhe synimi është që deri në fund të dekadës gazi të mbulojë vetëm 5% të prodhimit kombëtar të energjisë.

Muajin e kaluar, Centrica bleu gjithashtu një pjesë prej 15% në projektin e centralit bërthamor Sizewell C në Suffolk, i cili pritet të hyjë në punë në mesin ose fundin e viteve 2030.