
Situata në qarkun e Beratit mbetet alarmante, me tre vatra zjarri ende aktive në Poliçan, Berat dhe Skrapar. Për shkak të terrenit malor dhe të vështirë, ndërhyrja po kryhet kryesisht me mjete rrethanore dhe nga ajri, ndërsa flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore dhe mjedis.
Në Zonën e Mbrojtur Balloll, NJA Tërpan në Poliçan, zjarri me intensitet mesatar po përhapet në disa drejtime, përfshirë drejt fshatit Plashnik i Madh, lagjen Selenicë dhe fshatin Çorogjaf. Terreni e bën të pamundur ndërhyrjen e forcave tokësore, ndaj shpëtimi po vjen vetëm nga avionët dhe helikopterët. Aktualisht janë angazhuar forcat e ushtrisë, zjarrfikësit dhe punonjësit e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.
Në fshatin Velçan, NJA Sinjë të Beratit, flakët janë aktive në një drejtim, por banesat dhe banorët janë jashtë rrezikut. Dy helikopterë dhe mjetet zjarrfikëse po vijojnë operacionin për shuarjen e zjarrit.
Ndërkohë, në fshatin Orizaj, NJA Qendër Skrapar, zjarri vijon të jetë aktiv në terren të vështirë, me mjete që nuk mund të operojnë deri në vend. Në zonë janë dërguar 8 efektivë dhe 2 mjete zjarrfikëse për të monitoruar dhe ndërhyrë aty ku është e mundur.
Kjo situatë vjen në një verë ku zjarret në Shqipëri janë përhapur me ritme të shpejta, duke prekur qindra hektarë pyje, kullota dhe tokë bujqësore. Ekspertët paralajmërojnë se kushtet e thata, temperaturat e larta dhe erërat e forta po e kthejnë çdo vatër në një rrezik të madh për mjedisin, ekonominë dhe sigurinë e komuniteteve. Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo sinjal flakësh për të shmangur përhapjen e tyre.