Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri shkrumbon dy fshatra në Gramsh, banorët kërkojnë ndihmë urgjente



Situata alarmante vazhdon të dominojë zonat rurale të bashkisë Gramsh edhe gjatë orëve të vona, pasi zjarret ende mbeten aktive dhe po përhapen me shpejtësi.

Dy fshatrat Shëmbërdhenj dhe Bletas janë shkrumbuar plotësisht, duke lënë pas vetëm hiri dhe dëshpërim për banorët që humbën gjithçka pas flakëve shkatërruese.

Fatkeqësisht, raportohet për një viktimë të konfirmuar, ndërsa ekziston dyshimi se një person tjetër mund të ketë ndërruar jetë. Gjithashtu, disa banorë të tjerë kanë marrë lëndime nga përhapja e zjarrit.

Rreziku mbetet shumë i lartë, me flakët që kërcënojnë edhe fshatrat Harunas, Nartë, Shelcan, Bulçar, Snosëm, Sojnik, Probat dhe Grabova e Poshtme.

Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencës ndodhen në terren dhe po bëjnë maksimumin për të ndaluar përparimin e zjarrit, por terreni i thepisur, mungesa e infrastrukturës adekuate dhe kushtet e pafavorshme atmosferike, me temperatura të larta, po vështirësojnë shumë ndërhyrjen.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe forcimin e kapaciteteve shtetërore dhe atyre të specializuara për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe për të garantuar sigurinë e jetës dhe pasurisë së tyre.