
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paralajmëroi se ushtria ruse nuk po përgatitet të ndalë luftën, por po bën lëvizje që tregojnë përgatitje për një ofensivë të re ushtarake.
Në një postim në rrjetet sociale, ai falenderoi liderët e Bashkimit Evropian për mbështetjen e tyre dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit të qëndrimeve për të ushtruar presion më të madh ndaj Rusisë, sipas The Guardian.
“Çështjet që lidhen me sigurinë e Ukrainës dhe Evropës diskutohen nga ne të gjithë së bashku. Çdo vendim duhet të forcojë kapacitetet tona të përbashkëta të sigurisë. Nëse Rusia refuzon të ndalojë vrasjet, ajo duhet të mbajë përgjegjësi,” deklaroi Zelenskyy.
Ai mbështeti gjithashtu planet e Donald Trump për një samit me Vladimir Putinin, duke theksuar nevojën për një qëndrim të bashkuar që mos lejojë Rusinë të mashtrojë sërish botën.
“Ata duhet të ndalohen për sa kohë që vazhdojnë luftën dhe okupimin. Të gjithë së bashku duhet të vazhdojmë presionin – presionin e forcës, të sanksioneve dhe të diplomacisë. Falënderoj të gjithë ata që po ndihmojnë. Paqe përmes fuqisë,” përfundoi presidenti ukrainas.