
Izraeli po zhvillon bisedime me pesë vende, përfshirë Sudanin e Jugut, për mundësinë e pranimit të refugjatëve të zhvendosur nga Gaza në territoret e tyre. Javën e kaluar, zv.ministri i Jashtëm i Sudanit të Jugut vizitoi Izraelin, ndërkohë që po shqyrtohet edhe mundësia e transferimit të personave të zhvendosur në Indonezi, Libi, Etiopi dhe një vend tjetër në Afrikë.
Shtatë burime të njohura me këtë çështje konfirmuan për agjencinë Associated Press, të cituar nga YNetNews, se bisedimet me Sudanin e Jugut po vazhdojnë, megjithëse nuk dihet se sa janë avancuar ato. Për Sudanin e Jugut, një marrëveshje e tillë mund të ndihmojë në ndërtimin e marrëdhënieve më të ngrohta me Izraelin, si dhe mundësi për të forcuar lidhjet me administratën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili në shkurt kishte ngritur idenë e zhvendosjes së popullsisë së Gazës, por që duket se prej muajsh ka hequr dorë nga kjo ide.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se synon të realizojë vizionin e presidentit Trump për zhvendosjen e një pjese të madhe të popullsisë së Gazës përmes asaj që ai e quan “migrim vullnetar”. Izraeli ka bërë propozime të ngjashme edhe me vende të tjera afrikane.
Megjithatë, palestinezët, organizatat e të drejtave të njeriut dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar kanë refuzuar këto propozime, duke i cilësuar ato si plane për dëbim të detyruar, në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Ministria e Jashtme e Izraelit nuk ka komentuar për Associated Press, ndërsa ministri i Jashtëm i Sudanit të Jugut nuk iu përgjigj pyetjeve për bisedimet. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan tha se nuk komentojnë biseda diplomatike private.
Joe Szlavik, themelues i një firme lobimi amerikane që punon me Sudanin e Jugut, tha se është informuar nga zyrtarët sudanezë për këto bisedime dhe se një delegacion izraelit planifikon të vizitojë Sudanin e Jugut për të shqyrtuar mundësinë e ngritjes së kampeve për palestinezët. Ende nuk është caktuar një datë për këtë vizitë, ndërsa Izraeli nuk ka konfirmuar ende.