Vendosni fjalën kyçe....

Fitimi i sektorit bankar ra me 8.5% për gjysmën e parë të vitit


Rënia e normave të interesit po sjell një zhvendosje në ulje të fitimit të sektorit bankar për këtë vit.

Të dhënat e paaudituara të bankave tregtare, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, tregojnë se fitimi neto i sektorit për 6-mujorin 2025 kishte vlerën e 17.7 miliardë lekëve, në rënie me 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Bankat qendrore vitin e kaluar nisën uljen e normave të interesit dhe kjo është reflektuar në kthimet prej instrumenteve financiare. Treguesi kryesor benchmark për Euron, Euribori 12-mujor, në fund të 6-mujorit 2025 ra pranë nivelit të 2%, nga pothuajse 3.3% që kishte qenë një vit më parë.

Ndërsa yield-i mesatar i bonove 12-mujore në Lekë ka rënë në 2.76%, nga 3.28% që kishte qenë një vit më parë. Rënia e treguesve benchmark përcillet direkt në normat e kredive me norma të ndryshueshme interesi të bankave tregtare, që përbëjnë edhe pjesën dërrmuese të portofolit të tyre.

Rënia e normave të interesit, si në Lekë, ashtu edhe në Euro ka filluar të japë efektet e para në një korrigjim në ulje të fitimeve të sektorit bankar në vend.

Ky efekt është i dukshëm për pothuajse të gjitha bankat e sektorit. Nga 11 banka në treg, nëntë raportojnë ulje të fitimeve krahasuar me një vit më parë. Madje, dy prej tyre e kanë mbyllur 6-mujorin e parë me humbje. Vetëm dy banka kanë arritur fitime më të larta krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Raiffeisen Bank kryeson renditjen e fitimeve, me një rezultat neto në vlerën e 4.16 miliardë lekësh, por në rënie me 5% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar.

Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare renditet e dyta, me një fitim neto prej 3.87 miliardë lekësh. Edhe BKT raporton një rënie të rezultatit financiar, me 18% më pak krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit 2024.

Vijon, OTP Albania, me 2.4 miliardë lekë (7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë); Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank), me 2.1 miliardë lekë (37% më shumë krahasuar me një vit më parë); Intesa Sanpaolo, me 1.56 miliardë lekë (17% më pak krahasuar me 6-mujorin 2024); Tirana Bank, me 1.32 miliardë lekë (3% më pak krahasuar me një vit më parë); Credins Bank, me 869 milionë lekë (19% më pak krahasuar me një vit më parë); Banka e Parë e Investimeve (Fibank), me 824 milionë lekë (13% më shumë krahasuar me një vit më parë), Union Bank, me 692 milionë lekë (22% më pak krahasuar me një vit më parë).

ProCredit Bank e ka mbyllur 6-mujorin me humbje në vlerën e 35 milionë lekëve, (kundrejt një fitimi 103 milionë lekë një vit më parë), ndërsa Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) raporton humbje në vlerën e 73 milionë lekëve, ndërsa një vit më parë raportonte fitim neto për 85 milionë lekë. Megjithatë, raportimet e UBA në të dyja rastet janë bërë sipas standardeve lokale të mbikëqyrjes, të Bankës së Shqipërisë dhe jo sipas IFRS-ve.

Për sa i takon kthimit nga kapitali aksionar, renditja kryesohet nga ABI Bank, me 33.93% (27.11% një vit më parë), e ndjekur nga Raiffeisen Bank, me 26.15% (29.47% një vit më parë); Fibank, me 24.35% (25.05% një vit më parë); OTP Albania, me 17.72% (23.82% një vit më parë); Tirana Bank, me 16.11% (20.89% një vit më parë); BKT, me 15.03% (19.71% një vit më parë); Union Bank, me 14.6% (22.87% një vit më parë); Intesa Sanpaolo, me 13.45% (15.42% një vit më parë); Credins Bank, me 6.97% (10.35% një vit më parë; ProCredit Bank, me -1.5% (4.83% një vit më parë) dhe UBA, me -3.81% (5.48% një vit më parë)./Monitor