
Policia e Tepelenës arrestoi një 40-vjeçar banues në fshatin Kodër, i dyshuar për ndezjen e zjarrit në tokën e marrë me qira, i cili për shkak të përhapjes së flakëve shkaktoi djegien e sipërfaqeve pyjore, pemëve frutore, 5 stane me ushqim për bagëti dhe 3 krerë bagëti të trasha në zonën midis fshatrave Kodër dhe Lekël.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”.
Njoftimi:
Tepelenë
Dogji 5 stane, bagëti dhe mjedise pyjore në 2 fshatra, me zjarrin që ndezi në tokën e marrë me qira, identifikohet dhe arrestohet 40-vjeçari.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera menjëherë pas njoftimit se në zonën e pyllëzuar midis fshatrave Kodër dhe Lekël, kishte rënë zjarr, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë mundësuan identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit E. M., 40 vjeç, banues në fshatin Kodër.
40-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e marrë me qira dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, pemë frutore, 5 stane me bazë ushqimore për bagëti dhe 3 krërë bagëti të trasha.
Prej mëngjesit të djeshëm, shërbimet e Policisë kanë mbajtur në kontroll perimetrin ku janë përhapur flakët.
Ndërkaq, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Gjirokastër dhe me shërbimet zjarrfikëse, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast zjarrvënieje dhe paligjshmërie në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.